zoom

Aktualitet

Përkeqësohet gjendja shëndetësore, avokati i Berishës futet në intubim te Trauma. Autorët në arrati

Pa kaluar pak orë nga incidenti i rëndë dhe dhuna barbare në ish-Bllok, përkeqësohet gjendja shëndetsore e avokatit Sokol Mëngjesi.

Sipas informacioneve të fundit nga Spitali i Traumës, avokati Mëngjesi është futur në intubim, pasi terapia e urgjencës nuk po jepte rezultatet e duhura dhe u shoqërua me komplikacione shëndetësore nga trauma në pjesën e kokës.

Raportohet se gjendja shëndetësore e avokatit është përkeqësuar, teksa ka një çarje në pjesën e pasme të kokës nga sulmi i 3 autorëve. Avokati u godit mëngjesin e sotëm nga të paktën 3 persona që mbanin kapele, në një nga rrugët e zonës së ish-Bllokut në Tiranë dhe në motive që besohet se s’kanë të bëjnë me detyrën.

Ndaj tij është qëlluar me mjete të forta, hekur dhe dorezë metalike, ndërsa pësoi goditje në kokë, ç’ka duket se i kanë përkeqësuar shëndetin. Avokati u transportua drejt Spitalin e Traumës pak momente pas dhunës që pësoi, ndërsa iu nënshtrua skanerit dhe kontrolleve të tjera, nga ku rezultoi se kishte fraktura dhe goditje në kokë, që i kanë shkaktuar fraktura dhe hematoma.

Pavarësisht se më parë ishte raportuar për një gjendje të qëndrueshme shëndetësore, mjekët e Traumës kanë vendosur avokatin në intubim, për shkak të komplikacioneve që ka shfaqur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Policia tha se ka identifikuar një nga autorët, që u shpall në kërkim dhe po heton për 2 të tjerët. Mëngjesi ende nuk ka dhënë deklarimet e tij, ndërsa po bën të gjitha ekzaminimet në spital. Sakaq, policia ka marrë në pyetje të gjithë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të ngjarjes së rëndë, që ndodhi në një zonë të populluar.

Sokol Mëngjesi është avokat me përvojë disa vjeçare në jurisprudencë. Ai është angazhuar si ekspert në fushën e ndryshimeve ligjore nga institucione publike, të tilla si Kuvendi i Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës. Në shtator të vitit 2020, Sokol Mëngjesi u zgjodh Dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës.

Mëngjesi ka një përvojë të gjatë edhe në mësimdhënie, ndërsa është autor edhe i një numri të madh punimesh shkencore të paraqitura në konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, artikujsh shkencorë të botuar në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe monografish e tekstesh shkollore në Shqipëri dhe Greqi.

Opozita ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si autor të urdhrit për agresionin, kurse mazhoranca kërkoi zbardhjen e ngjarjes. Ministri Taulant Balla e cilësoi “kazan me helm për publikun”, akuzëat që bënte opozita për dhunën ndaj avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha. /ZOOM.AL/