zoom

Aktualitet

Përfitonin deri në 300 mijë euro, policia zbulon laboratorin e falsifikimit të dokumenteve

Policia e Lezhës ka finalizuar pas një hetimi 3-mujor, operacionin e koduar “Identiteti”, duke arrestuar katër persona dhe shpallur në kërkim dy të tjerë.

Gjatë aksionit, policia ka zbuluar një laborator të dyshuar për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara të identifikimit dhe një ambient ku ushtrohej aktiviteti i dyshuar i mashtrimit kompjuterik.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga shtetasit e lartpërmendur, duke përfituar shumë të ndryshme monetare që variojnë nga 500-300.000 euro.

Në pranga kanë rënë shtetasit Pertef Musabelli, Henri Haxhiraj, Arjan Refugjati dhe Erigesji Moriga, ndërsa janë shpallur në kërkim shtetasit Artur Terziu dhe Ilir Mata.