zoom

Aktualitet

“Për pula, zogj, gratë kanë bërë potere mes tyre”! U plagos nga vëllai, detaje të krimit në Lushnjë

Detaje të reja dalin në dritë nga plagosja që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë, ku mbeti i plagosur rëndë shtetasi Faik Veliu, që u dërgua me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranës.

Autori i plagosjes u identifikua shtetasi Sami Veliu, 75-vjeç, vëllai i tij, i cili i kishte bërë pritë dhe e kishte qëlluar tre herë me kallash nga largësia. Burime policore bëjnë me dije se në momentin e parë i plagosuri nuk e ka parë se kush e ka qëlluar dhe më pas policia ka bërë identifikimin e autorit.

Dyshimet janë se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie, ndërkohë që famjiljet e 5 vëllezërve Veliu janë shumë pranë tyre në fshat. Banorë dhe familjarë shprehen të shokuar nga ajo çfarë ka ndodhur, edhe pse pranojnë se mes dy vëllezërve ka pasur dhe më herët konflikte, edhe pse askush nuk e mendonte se do të degjeneronin deri në përdorimin e armëve.

Një prej plumbave e ka kapur Faik Veliun në mushkëri, dhe gjendja e tij është mjaft serioze. Arrestimi i autorit u bë në një banesë të braktisur, dhe ka dyshime se ai vuante nga probleme të shëndetit mendor.

“Për pula, për zogj, për asgjë tjetër, gratë me njëra tjetrën kanë pasur potere, kurse ata si vëllezër nuk e di”, shprehet një prej të afërmeve.

“Në mëngjes e morëm vesh lajmin, njerëz të mirë, as sherre asgjë. Ne jemi komshinj, tokën e kemi bashkë. Nuk e di se çfarë e ka shtyrë, janë mirë nga gjendja ekonomike, për pronat nuk i kemi ndjerq që të jenë zënë. Ata janë 5 vëllezër”, shprehet më tej një komshi i tyre.

Çfarë njofton zyrtarisht Policia për dinamikën e plagosjes:

Shtetasi F. V., rreth orës 05:00, ka dalë jashtë banesës për tu kujdesur për bagëtit e tij dhe është goditur me armë zjarri automatik nga largësia nga një person të cilin ai nuk arriti ta shikonte.

Autori u largua nga vendgjarja dhe u fsheh në një banesë të braktisur në fshatin Ngurrëz e Vogël. Pas krehjes së zonës dhe veprimeve hetimore operacionale, Policia bëri të mundur kapjen e autorit bashkë me armën e zjarrit, një kallëp tritoli bashkë me ndezësin dhe fishekë luftarak.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Sami Veliu ka qëlluar me armë zjarri kundrejtë vëllait të tij për motive pronësie.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore arrestuan për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” shtetasin Sami Veliu.