zoom

Aktualitet

Pengmarrja e 21-vjeçarit në Fier, e pëson edhe polici që heshti. AMP e arreston (EMRI)

Një efektiv policie në Fier është arrestuar në flagrancë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ditën e sotme, pasi fshehu një ngjarje kriminale, teksa u mor peng një 21-vjeçar nga tre persona.

Në pranga ka rënë inspektori Gestian Ymeraj, 31 vjeç, me detyrë Trupi Shërbimi i Forcave Operacionale, që iu nënshtrua hetimit dhe pritet të pezullohet nga Policia e Shtetit, deri në fund të hetimeve.

Efektivi akuzohet se nuk ka kallëzuar në polici një ngjarje të ndodhur ditën e djeshme në Fier (15 dhjetor), ku 3 familjarë të tij, të identifikuar si K.B, E.A dhe A.Z, morën peng për 3 orë 21 vjeçarin H.T.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Ferras, ku tre familjarët e efektivit kanë ndaluar automjetin me të cilin udhëtonte dhe më pas e kanë marrë me forcë për 3 orë duke e dhunuar. Konflikti mes tyre ka nisur 2 ditë më parë me kushëririn e 21 vjeçarit të marrë peng, i cili po ashtu dyshohet të ketë qenë në automjet.

Për pasojë, janë arrestuar gjithashtu edhe 2 prej autorëve K. B., 26 vjeç dhe E. A., 25 vjeç, ndërsa A. Z., 32 vjeç, është shpallur në kërkim. Ndërsa efektivi i Forcave Operacionale akuzohet për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. /ZOOM.AL/