zoom

Ekonomi

PD padit në SPAK koncesionin e karburanteve: Vendimi i Ramës vjedh shqiptarët

Partia Demokratike ka denoncuar në SPAK ditën e sotme një koncesion në fushën e karburanteve që sipas tyre, është një vendim që vjedh shqiptarët.

Kjo padi është dorëzuar nga Përfaqësuesit e PD, Agron Shehaj dhe Sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata.

Më herët ky koncesion ishte denoncuar nga gazetari Klodian Tomorri i cili do të shprehej në një media:

“Në qeveri është ngritur grup pune që po punon dhe besoj se ky koncesion do të votohet para zgjedhjeve të 25 prillit. Pra, qytetarët duhet të bëhen gati të paguajnë miliona euro të tjera për një kontratë tjetër koncesionare, një ves ky nga i cili qeveria nuk heq dot dorë. Janë dhënë deri tani tre koncesione: ai i markimit të karburanteve. U bënë 7 vjet nga miratimi i tij dhe ne i kemi parë rezultatet.

Pas tij u miratua koncesioni i kontrollit të pompave, pastaj kemi dhe skanimin që përveç karburanteve prek çdo mall që hyn në Shqipëri,. Me koncesionin e gjurmimit bëhen 4 koncesione me të njëjtin objekt: të kontrollojë abuzimet dhe evazionin në tregtinë e karburanteve”, tha ai.

Tomorri shtoi se koncesionet kanë dëmtuar rëndë ekonominë shqiptare dhe një i katërt do ta rëndojë akoma më tej.

“Është njësoj sikur të marrësh katër qen dhe t’i vësh të ruajnë një dele. Nuk ka rast të dytë në botë. Është e kuptueshme që qëllimi nuk është ruajtja e qytetarit nga abuzimi. Ka vetëm një shpjegim: shpiken kontrata koncesionare për të marrë lekë dhe për t’i çuar në llogari private. Është një çmenduri që duhet të marrë fund pasi këto kontrata kanë paralizuar ekonominë shqiptare”, shprehet gazetari.

Tomorri thotë se amendamenti i propozuar nga deputeti Ilir Beqaj për koncesionin e pompave të karburantit u ngarkon qytetarëve një taksë të re. Sipas tij, deputeti Beqaj, ndryshe nga sa thotë, nuk synon mbrojtjen e konsumatorëve, por ka qëllime të tjera që duheti t’i shpjegojë.

“Nuk janë shifra të sakta dhe përdoren qëllimisht për të justifikuar atë që ndodh. Zoti Beqaj aludon se 5% e regjimit të pompave janë të gënjeshtërta. Ku e gjeti zoti Beqaj shifrën 5%.

Zoti Beqaj propozoi amendamentin dhe ministria nuk ishte dakord, pra Ministria e Financave nuk e ka pasur një shqetësim të tillë. Amendamenti thotë se jo më pak se 5% e popmpave duhet t’u nënshtrohen kontrolleve më shumë se dy herë në vit. Është lënë pa tavan, mund të shkohet edhe në 100% të pompave rikontroll. Kur thotë që 5% e pompave të karburanteve janë në regjim, e klasifikon si vjedhje.

Presupozohet se e gjithë sasia kur dikush mbush karburant duhet të paguajë sa mbush, por pompa nuk hedh asnjë pikë në sebrator. Ky amendamnet u var qytetarëve në qafë një tjetër taksë. Zoti Beqaj është pas këtij amendamenti. Ai nuk ka lidhje me mbrojtjen e konsumatorëve por ka qëllime të tjera që ai duhet t’i shpjegojë”, tha Tomorri.

Ai shtoi se opozita ka pasur qëndrime të ndryshme për koncesione të ndryshme.

“Mendoj se në vijimësi opozita ka pasur një qëndim disi të zbutur ndaj koncesionit. Arsyet nuk i dimë, por opozita me disa koncesione ka qenë më shumë agresive dhe me të tjera ka mbajtur status pasiv. I takon PD dhe roli i saj është mbrojtja e interesit publik. Koncesionet i kanë bërë dëmin më të madh ekonomisë dhe unë nuk mund të justifikoj pasivitetin”, tha ai.

Deklarata:

PD dorëzon në SPAK padinë për koncesionin e ri 100 milionë euro të karburanteve, PD: Vendimi i Ramës vjedh shqiptarët. Kryeministri në panik nga humbja e pushtetit. Rama e di që fundi i tij ka filluar.

Përfaqësuesit e PD, Agron Shehaj dhe Sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata dorëzuan në SPAK padinë për koncesionine ri të qeverisë Rama në fushën e hidrokarbureve, duke kryer të paktën 3 vepra penale. Më poshtë deklarata e e përfaqësuesit të PD, Agron Shehaj:

Sot, dorëzuam në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion një nga vendimet më korruptive të qeverisë Rama përpara largimit. Në ditët e fundit të pushtetit, Edi Rama ka vendosur të japë një koncesion të fshehtë, në fushën e karburanteve, i cili do t’u kushtojë shqiptarëve 100 milionë euro.

Pa asnjë studim, pa transparencë, gjithçka në errësirë dhe me nxitim, qeveria ka paracaktuar që tre klientë të saj të gjurmojnë transaksionet financiare në fushën e hidrokarburëve.

Ky vendim, në fushatë zgjedhore shkel rregullat e zgjedhjeve, mbyll tregun në tre duar dhe, mbi të gjitha, fut duart në xhepat e qytetarëve, duke e bërë karburantin akoma më të shtrenjtë.

Pazari që Edi Rama ka bërë me 3 klientët e tij pak përara largimit nga qeveria duhet të hetohet nga SPAK. Nuk ka asnjë dyshim se kjo është një aferë e rëndë korruptive, e cila, nëse hetohet siç duhet, do ta çojë drejtësinë tek Edi Rama.

Rama po bën marrëveshje të ndyra dhe të korruptuara që do të rrisin çmimet e karburantit në Shqipëri, në mënyrë që miqtë e Ramës të bëjnë miliona në kurriz tonë.

Asnjë tjetër, përvec Edi Ramës, nuk ka pushtetin që të vendosë për dhënien e 100 milionë eurove në vetëm 3 duar, të cilat, mund të rezultojnë edhe një dorë e vetme.

Ky vendim i pistë i Edi Ramës, që dënon shqiptarët me një vjedhje të re dhe me rritjen e çmimit të karburantit nuk do të njihet nga Partia Demokratike.

Është vendimi i një kryeministri në panik nga humbja e pushtetit. Edi Rama është në panik, sepse e kupton që fundi i tij ka filluar.

Koha e Edi Ramës ka mbaruar! Është koha për ndryshim! Është përgjegjësi e Partosë Demokratike ndaj qytetarëve që me planin tonë konkret të sjellim ndryshim në të gjitha fushat ku Edi Rama ka dështuar: në ekonomi, shëndetësi, arsim, imigrim, infrastrukturë.

Ne do të sjellim ndryshimin dhe shpresë për Shqipërinë!