Aplikacion
Sipas PD është zbuluar një parcelë kanabisi dhe është arrestuar një oficer i policisë gjyqësore, Kastriot Bicukaj.
Në bazë të njoftimit për shtyp, pretendohet se Bicukaj është kushëri i kryebashkiakut të Fushë-Arrëzit, Fran Tuci dhe prandaj është liruar ndërkohë që Policia ende nuk e ka bërë publik operacionin.
Për PD, Bicukaj ka mbështetje politike nga kushëriri i tij kryebashkiak dhe në vend që kjo dosje ti kalonte SPAK-ut, i ka kaluar Prokurorisë së Pukës dhe oficeri ka përfunduar i lirë.
NJOFTIMI NGA PD
Ndarja e politikës nga krimi dhe lufta ndaj trafikut të drogës, që cënon rendin dhe sigurinë, është mision i Partisë Demokratike. Në këtë përballje nuk jemi vetëm, por kemi mbështetjen e qytetarëve dhe policëve të ndershëm, që ndihen të braktisur nga regjimi që bashkëpunon me krimin. I tillë është denoncimi që na ka ardhur sot mbi ndërhyrjen e forcave RENEA në zonën e Pukës. Operacioni ka zbuluar një parcelë të madhe të mbjellur me kanabis, në kuadër të po këtij operacioni është ndaluar oficeri i policisë gjyqësore Kastriot Bicukaj. Kjo çështje duhet t’i kalonte menjëherë SPAK, por oficeri është lënë i lirë duke e kaluar çështjen pranë Prokurorisë së Pukës, falë mbrojtjes politike që ai gëzon prej kushëririt të tij Fran Tuci, kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit.
Ky operacion, i cili nuk është bërë ende publik nga Policia e Shtetit, dëshmon edhe njëherë se kanabisi është ende një çështje në duart e atyre që e kthyen Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe se askush nuk ndalohet nëse pas rrënjëve të bimës narkotike shfaqen persona të lidhur me partinë-shtet.
Vendi ynë renditet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si i pari në Europë për prodhimin e kanabisit, pikërisht prej vullnetit politik që e kthen kanabisin në një ndërrmarrje të përbashkët midis krimit dhe partisë në pushtet, ndërsa policinë e shndërron në mbrojtëse të parcelave, apo siç dëshmon hetimi i Antimafies Italiane, duke i përdorur forcat e rendit si punëtorë krahu për ngarkimin e gomoneve me drogë.
Prej vitesh Partia Demokratike ka denoncuar me fakte modelin e bashkëpunimit me krimin të ndërtuar nga Edi Rama. Koha na ka dhënë gjithmonë të drejtë, prandaj nuk duhet pritur që detyrën e institucioneve shqiptare ta kryejnë partnerët ndërkombëtarë, por është detyra e SPAK të marrë në dorë këtë hetim të penguar nga partia në pushtet.
Çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit kërkon një drejtësi reaguese, të gatshme t’u kthej besimin qytetarëve dhe policëve të ndershëm që pengohen në kryerjen e detyrës së tyre.
Paralajmërohet publikimi i dosjes “bombë”: Politikanë të lartë dalin te “Toyota Yaris”