zoom

Aktualitet

Pas debatit lidhi dhe rrahu shqiptarin, dënohet polici në Gjermani, pjesë e grupimit të së djathtës ekstreme

Një pjesëtar i grupit ekstremist të krahut të djathtë “Alphateam” në stacionin e policisë Mülheim, Ruhr është dënuar me nëntë muaj me kusht për shkak se ka goditur në mënyrë të përsëritur një shqiptar kosovar me shtetësi gjermane.

Zëdhënësi i gjykatës së rrethit Mülheim, Andreas Kunze, ka raportouar për gazetën “Kölner Stadt-Anzeiger” se komisioneri i policisë gjatë gjykimit, më 7 qershor ka pranuar pretendimet për shkaktim të dëmtimit trupor të personit gjatë orarit zyrtar të punës.

Polici në fjalë, në janar të vitit 2019 e kishte lidhur kryefamiljarin shqiptar pas një debati të zëshëm që kishin pasur lidhur me ushtrimin e dhunës në familje, transmeton albinfo.ch. Më pas ai e kishte goditur atë disa herë në fytyrë.

Arsyeja që ka dhënë ai për këto goditje ishte se ishte i mbingarkuar nga pozita e vështirë ku ndodhej, në vendin e ngjarjes. Zyra e prokurorit publik në Duisburg po e heton atë gjithashtu për shkak të përfshirjes së tij në grupin ekstremist të krahut të djathtë “Alphateam”.

Partnerja e punës e të pandehurit kishte ndihmuar në mbulimin e sulmit për një vit e gjysmë duke bërë deklarata të rreme. Siç ka zbuluar gazeta, Gjykata e Qarkut tashmë ka dënuar komisaren e policisë me shtatë muaj burg, me kusht. Ende janë duke vazhduar hetimet kundër dy drejtuesve të grupeve të shërbimit të cilët ngarkohen se nuk kanë raportuar incidentin.