Aplikacion
Mësohet se Gaz Pajës prokurorët e SPAK i kanë sekuestruar telefonin.
“Jo, ishim ulur me prokurorin në një kafe dhe pa dashje më mori celularin tim dhe ja solla të tijin dhe ja mora timin. Nuk ja di emrin, ishte rastësi”, tha ai me nota ironie pas daljes nga godina.
Ndërkohë kjo është hera e dytë brenda disa ditësh që ai paraqitet në SPAK.
Nuk dihet ende arsyeja pse Gaz Paja është thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm, por kujtojmë që aktori i njohur i humorit është shpallur investitor strategjik.
Gaz Paja në podcastin “Garage Lock”, tregoi se e ka marrë këtë status nga dashamirësia e banorëve të Dhërmiut ku ai dhe kompania e tij do të ndërtojnë një kompleks luksoz banesash.
“Mu dha mundësia që me disa banorë të Dhërmiut të gjeja disa toka, kërkova ndihmën e disa miqëve të mi privatë që t’i futeshim kësaj gjëje. Investitorin nuk e kam marrë unë por kompanitë që plotësonin kushtet që kishte vënë qeveria. Jo më kot, në Tiranë sot paguan 8+1% taksën e shtetit çdo ndërtues për të klasifikuar se cili ndërtues është më i zoti. Pra nuk i kam bërë unë, por kam thënë kam një tokë, “do të vish ta marrësh?”, nëse ai merr 9 lekë, unë marr 1. Sepse nuk e kam mundësinë për të zhvilluar një ndërtim dhe as nuk e marr vesh. Thjesht u përpoqa nga dashamirësia e publikut në terren që më thanë ‘ty ta besojmë se je djalë i mirë, na gjej një ndërtues’. Kështu ka lindur historia! Kur për këtë e ka të drejtën një qytetar i panjohur, pse mos ta kem unë? Kaq është kjo!”- tha aktori.
Madje më tej ai është ankuar edhe se për shkak të përfoljes së çështjes së tij në media, shumë përfitime i janë hequr padrejtësisht.
“Biles nga lajmet padrejtësisht jam penalizuar nga shteti, duke mu zvogëluar benefitet që pretendoja. E prapë them nuk më intereson. Letrat janë aty, të vijë kush të dojë dhe t’i kontrollojë dhe ta kuptojë se jam shumë i pastër në këtë aspekt,”-tha gjithashtu Paja.