zoom

Aktualitet

Pandemia rriti sasinë e kokainës së trafikuar në BE përmes Shqipërisë

Sasia e kokainës që hyn në vendet e Bashkimit Europian duke përdorur si tranzit Ballkanin Perëndimor ka ardhur në rritje vitet e fundit. Sipas një raporti të publikuar nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogërave, Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet kryesore përmes të cilave kalojnë këto dërgesa.

“Droga e kapur në 2020 dhe 2021 sugjeron se trafiku i kokainës përmes porteve të Ballkanit Perëndimor, sidomos në Shqipëri dhe Mal të Zi, është rritur”, thuhet në raport.

Raporti citon aksionin e prillit të vitit të kaluar, kur u kapën në Durrës 143 kilogramë kokainë, ndërsa në gusht Mali i Zi sekuestroi 1.4 tonë dhe në janar të këtij viti 500 kilogramë të tjera. Citohet gjithashtu edhe rasti i kapjes së 400 kilogramëve nga Kosova në maj të 2021-t dhe fakti që kjo drogë kishte hyrë në Kosovë përmes Portit të Durrësit.

Sipas Qendrës, rruga ballkanike e hyrjes së kokainës në BE mbetet më pak e preferuara në krahasim me rrugët në Europën Perëndimore, apo Afrikën Veriore, pavarësisht faktit se në dy vitet e fundit, që përkojnë me pandeminë, ka pasur shtim të rasteve të sekuestruara.

Pjesa më e madhe e kokainës në BE hyn nga Belgjika, Holanda dhe Spanja, që së bashku përbëjnë 70 për qind të tregut, ndjekur më pas nga rruga e Afrikës Veriore përmes tranzitit në Marok dhe Algjeri.

Raporti thekson rritjen e aktivitetit të rrjeteve kriminale shqiptare në vendet e Bashkimit Europian. Si shembull, qendra citon një raport të autoriteteve gjermane në Hamburg, të cilat e argumentojnë rritjen e sasisë së kokainës së kapur në portin e këtij qytetit me shtimin e rrjeteve kriminale shqipfolëse.

Qendra Europiane për Monitorimin e Drogërave vlerëson se në 2020, tregu i kokainës gjeneroi të paktën 11 miliardë euro për grupet kriminale, duke zënë një të tretën e të gjithë parasë së qarkulluar nga lëndët narkotike. Hashashi mbetet në krye duke zënë nga 45 deri në 50 për qind të këtyre të ardhurave, sipas vlerësimit të Qendrës.