zoom

Ekonomi

Pandemia nxjerr në pozicion “jashtë loje” biznesin 7 mln euro të Superligës

Klubet elitare të futbollit shqiptar, në vitet e fundit, po përpiqen të ndërtojnë modele eficiente biznesi, por kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia, ka sjellë pasoja edhe në këtë sektor

Ersuin Shehu

Kriza e rëndë ekonomike që solli pandemia e Covid-19 ka goditur edhe tregun global të futbollit. Pezullimi i aktiviteteve sportive për muaj me radhë dhe më pas, rifillimi pa tifozë, solli një gropë të madhe në të ardhurat e klubeve. Edhe shoqëritë më të fuqishme u detyruan t’u kërkonin lojtarëve heqjen dorë nga paga për disa muaj dhe më tej, rishikimin e tyre.

Kjo situatë ka prekur edhe futbollin shqiptar, për shkak të të ardhurave të munguara nga shitja e biletave dhe nga kontratat e sponsorizimit. Sipas të dhënave nga Liga Profesioniste e Futbollit, të ardhurat nga shitja e biletave në një sezon llogariten në rreth 1 milion euro.

Që nga marsi, kur Superliga u ndërpre, e deri më sot, klubet nuk kanë mundur të shesin më bileta, sepse edhe pas rinisjes së aktivitetit, ndeshjet janë zhvilluar pa tifozë. Të ardhurat e tjera nga kontratat e sponsorizimit janë më të vështira për t’u llogaritur, por gjithashtu kanë pasur ndikim negativ në bilancet e klubeve.

 

Superliga qarkullon afërsisht 7 milionë euro

Në vitet e post-tranzicionit, klubet e futbollit kanë qenë kryesisht të varura financiarisht nga donacionet dhe mbështetjet e aksionerëve apo sponsorëve të ndryshëm. Për një pjesë të madhe të klubeve, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë as sot.

Por, në dekadën e fundit, disa klube elitare kanë arritur të ndërtojnë modele biznesi më të qëndrueshme, të mbështetura kryesisht te rezultatet sportive dhe të ardhurat e mira që garanton pjesëmarrja në Kupat e Europës, por edhe nga rritja e përfitimeve prej së drejtës televizive në Shqipëri dhe çmimeve financiare që ofron Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF).

Sipas të dhënave nga FSHF, klubet e Superligës përfitojnë të ardhura nga e drejta televizive në intervalin mes 40 mijë dhe 100 mijë eurove në vit. Pjesa e të ardhurave për secilin klub është e lidhur me rezultatet. Klubi që fiton Titullin Kampion përfiton një shpërblim prej 10 milionë lekësh nga FSHF, ndërsa ekipi fitues i Kupës përfiton 5 milionë lekë.

Pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve dhe atë të Europës përbën një burim shumë të madh për klubet shqiptare, falë pagesave direkte që ofron UEFA, të ardhurave nga e drejta televizive, nga biletat, sponsorët etj. Vetëm pjesëmarrja siguron rreth 250 mijë euro, ndërsa me kualifikimin në fazat e mëtejshme, të ardhurat mund të rriten disa herë. Në vitin 2017, Skënderbeu arriti deri në fazën e grupeve të Ligës së Europës rreth 3.7 milionë euro, që përfaqëson edhe përfitimin më të lartë të arritur ndonjëherë nga një klub shqiptar nga pjesëmarrja në garat europiane. Një vit më parë, sërish Skënderbeu kishte arkëtuar 3 milionë euro nga pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve.

Të ardhurat nga biletat, përgjithësisht, kanë qenë në nivele më të ulëta, por rritja e cilësisë dhe ndërtimi i stadiumeve të reja në vitet e fundit i kanë përmirësuar të ardhurat nga ky zë. Liga Profesioniste e Futbollit llogarit se klubet arkëtojnë gjithsej, në një sezon, rreth 1 milion euro nga shitja e biletave. Përurimi i stadiumit të ri, “Air Albania”, ka sjellë rritje të konsiderueshme për ekipet e kryeqytetit, me të ardhura që kanë arritur edhe në rreth 150 mijë euro për ndeshje.

Për Partizanin dhe Tiranën, ndeshjet pa tifozë janë një kosto e konsiderueshme, sidomos në përballjen derbi mes tyre, që tërheq zakonisht një numër të madh tifozësh. Megjithatë, edhe kosto e përdorimit të këtij stadiumi është më e lartë, me 1 milion lekë për ndeshje.

Të dhënat financiare zyrtare të klubeve të Superligës janë të pjesshme, ndërkohë që vetëm një pjesë e klubeve i kanë dorëzuar bilancet e vitit 2019. Sidoqoftë, perceptimi për një informalitet të lartë në këtë sektor shtyn që pasqyrat financiare zyrtare të merren me një lloj rezerve. Bilancet nuk janë shumë të detajuara dhe është e vështirë të ndahet kontributi i aksionerëve nëpërmjet donacioneve, ose sponsorizimeve nga të ardhurat e tjera të aktivitetit.

Katër prej klubeve të Superligës, Partizani, Kukësi, Laçi dhe Vllaznia, vitin e kaluar raportuan një xhiro prej 3.7 milionë eurosh, por kjo shifër përfshin edhe mbështetje në forma të ndryshme nga aksionerët. Po ta mesatarizojmë xhiron e tyre për të 10 klubet e Superligës, qarkullimi vjetor i klubeve të kampionatit elitar mund të llogaritet në pak më shumë se 9 milionë euro. Megjithatë, sipas vlerësimeve të Ligës Profesioniste, kjo shifër është më e ulët, pranë nivelit të rreth 7 milionë eurove në sezon.

 

BURIMI: PASQYRAT FINANCIARE TË KLUBEVE

 

Partizani, 1.55 milionë euro xhiro

Klubi që vlerësohet se realizoi xhiron më të lartë për vitin financiar 2019 ishte Partizani. Sipas pasqyrave financiare të klubit, të ardhurat totale për vitin e kaluar kishin vlerën e 191 milionë lekëve, ose rreth 1.55 milionë eurove, në rritje me 169% krahasuar me vitin 2018.

Rritja me dy herë e gjysmë e të ardhurave është e lidhur me pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Kupat e Europës bëjnë një diferencë shumë të madhe në bazën e të ardhurave të klubeve, falë përfitimeve që jep UEFA për pjesëmarrjen dhe për rezultatet. Rritja e të ardhurave nga pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve solli edhe përmirësimin e rezultatit financiar të klubit. Nga një humbje prej 85 milionë lekësh në vitin 2018, klubi i Gazment Demit e mbylli vitin 2019 me një fitim neto prej 1.8 milionë lekësh.

Pagat, përfshi edhe kontributet, në 2019-n kishin vlerën e 86 milionë lekëve, ose rreth 695 mijë eurove. Megjithatë, në rastin e Partizanit, pagat nuk janë shpenzimi më i madh, sipas zërave kryesorë të pasqyrës së performancës. Klubi raportoi në 2019-n, 92 milionë lekë në zërin “shpenzime të tjera shfrytëzimi”. Në mungesë të shënimeve shpjeguese, nuk është e qartë çfarë përfshijnë këto shpenzime, megjithatë, klubi Partizani po investon në një kompleks të ri stërvitor dhe shpenzimet e larta, veç të tjerash, mund të lidhen me investimin në fjalë. Klubi raportonte në bilanc parapagim për aktive materiale dhe në proces, një shumë prej 353 milionë lekësh.

Fitimi i vitit 2019 e lehtësoi në përmasa mjaft të vogla pozicionin financiar të klubit, që ka humbje të akumuluara për më shumë se 150 milionë lekë. Kapitali i klubit është negativ në vlerën e 147 milionë lekëve, gjë që e bën vazhdimësinë e aktivitetit të lidhur me mbështetjen financiare të aksionerit. Partizani përfaqëson një shembull tipik të faktit që, edhe në periudha të mira, gjendja financiare e klubeve të futbollit është e brishtë.

 

BURIMI: PASQYRAT FINANCIARE TË KLUBEVE

 

Kukësi, dy vite radhazi me fitim

Klubi i futbollit, Kukësi, në vitet e fundit është ngjitur në elitën e Superligës, pas hyrjes në strukturën aksionere të biznesmenit Safet Gjici. Rezultatet e mira sportive kanë ndikuar në rritjen e të ardhurave të klubit. Për vitin 2019, Kukësi raportoi xhiro vjetore në vlerën e 107 milionë lekëve, ose rreth 870 mijë eurove. Xhiroja e Kukësit praktikisht është përgjysmuar krahasuar me vitin 2018, kur arriti vlerën e 1.7 milionë eurove, falë të ardhurave më të larta nga Kupat e Europës.

Kukësi raporton një rezultat financiar me fitim për të dytin vit radhazi. Fitimi i vitit 2019 kishte vlerën e 8.2 milionë lekëve, nga 8.7 milionë lekë në vitin 2018. Rezultati pozitiv i dy viteve të fundit e ka ulur humbjen e bartur në bilanc, në vlerën e 15 milionë lekëve.

Ajo që bie në sy është se Kukësi raporton vlera të ulëta të shpenzimeve për paga, me rreth 21 milionë lekë në 2019-n. Kjo shumë është sa një e katërta e asaj që ka raportuar Partizani në të njëjtin vit. Për një klub, i cili në vitet e fundit ka luftuar për Titullin Kampion, kjo nuk është një shifër shumë e besueshme dhe tregon se pjesa më e madhe e pagesave të lojtarëve janë bërë në rrugë informale, ose duke u maskuar si shpenzime të tjera. Nëse shpenzimet e pagave nuk janë kamufluar në zërat e tjerë të shpenzimeve, atëherë ato janë paguar jashtë bilanci nga aksionerët dhe rezultati real financiar në këtë rast do të ishte shumë më negativ se ai i deklaruar.

Sidoqoftë, për aq sa tregojnë pasqyrat financiare, Kukësi rezulton një shoqëri ndjeshëm më e shëndetshme financiarisht, krahasuar me Partizanin. Shoqëria ka një kapital të paguar aksioner shumë më të lartë se Partizani, në vlerën e 120 milionë lekëve. Duke zbritur humbjet e akumuluara, kapitali i shoqërisë, në fund të vitit, ishte pozitiv për 105 milionë lekë.

 

 

Edhe Laçi rezulton me fitim

Po t’i referohemi bilancit zyrtar, një shoqëri me numrat në rregull duket edhe Laçi. Për 2019-n, ky klub raportoi xhiro totale në vlerën e 73.5 milionë lekëve, ose afërsisht 600 mijë euro. Xhiroja e klubit ka pësuar një rënie të lehtë me 4% krahasuar me vitin 2018.

Xhiroja e Laçit, për vitin e kaluar, ndahet në dy zëra kryesorë: të ardhura nga grante solidariteti, subvencione, etj., si dhe të ardhura nga njësitë ekonomike. Të ardhurat nga njësitë e tjera ekonomike, me sa duket, nënkuptojnë financime nga aksionerët e shoqërisë. Laçi kontrollohet nga biznesmeni Pashk Laska, me 75% të aksioneve, ndërsa Bashkia e Laçit mban 25% të kuotave.

Edhe Laçi ka raportuar rezultat financiar me fitim për të dytin vit radhazi. Vitin e kaluar, fitimi neto kishte vlerën e 1.8 milionë lekëve, nga 4.3 milionë lekë që pati qenë për vitin 2018. As Laçi nuk raporton humbje të mbartura në bilanc; përkundrazi, kapitalit të paguar prej 3.5 milionë lekësh i bashkëngjiten edhe fitime të akumuluara, në vlerën e 5 milionë lekëve.

Shoqëria, në fund të vitit 2019, nuk raportonte borxhe apo detyrime afatgjata në bilanc.
Por, edhe Laçi, njëlloj si Kukësi, raporton shpenzime mjaft të ulëta për paga, në vlerën e rreth 11 milionë lekëve. Ky është gjithashtu një nivel shumë i ulët pagash për një klub të Superligës, për më tepër, për një klub që në vitet e fundit është pozicionuar në vendet e para të renditjes. Ndaj, edhe në rastin e Laçit nuk është e qartë nëse shpenzimet për paga përfshihen në bilanc, apo paguhen në rrugë informale.

 

 

 

Vllaznia, në krizë, tenton privatizimin

Vllaznia është një klub i cili, në vitet e fundit, po vuan një situatë të paqëndrueshme dhe të vështirë financiare. Shoqëria e mbylli vitin financiar 2019 me humbje neto në vlerën e 18 milionë lekëve, pasi gjithashtu ka raportuar humbje prej 63 milionë lekësh. Vllaznia ka humbje të akumuluara në bilanc, për një vlerë prej gati 550 milionë lekësh dhe kapital aksioner negativ për 170 milionë lekë.

Për vitin 2019, të ardhurat totale të klubit kishin vlerën e rreth 80 milionë lekëve, ose rreth 650 mijë eurove, në rritje me 70% krahasuar me vitin 2018. Vlerësohet se, në pjesën më të madhe, të ardhurat janë grante të akorduara nga aksioneri i vetëm i shoqërisë, Bashkia e Shkodrës.

Vllaznia është ndër të paktët klube elitare në Shqipëri që ende ka aksioner kontrollues njësinë e qeverisjes vendore. Megjithatë, në muajin nëntor, Bashkia e Shkodrës shpalli garën për privatizimin e klubit. Vlera minimale e kërkuar për aksionet e klubit është 507 milionë lekë. Megjithatë, blerësi duhet të marrë përsipër një shoqëri në gjendje të vështirë financiarisht.

Në fund të 2019-s, shoqëria kishte 176 milionë lekë, ose mbi 1.4 milionë euro detyrime. Në pjesën dërrmuese, bëhet fjalë për detyrime të papaguara tatimore. Shpresa e Bashkisë është që këto detyrime mund të falen, për të lehtësuar procesin e privatizimit.

 

Apolonia vlerësohet si model organizimi

Klubi i Apolonisë së Fierit vlerësohet nga përfaqësuesit e Ligës, si një prej modeleve më të suksesshme të investimit afatgjatë në futboll. Klubi ka arritur të ndërtojë një sistem të organizuar mirë të ekipeve zinxhir, së bashku me infrastrukturën e nevojshme përkatëse. Këtë vit, Apolonia arriti të ngjitej nga Kategoria e Parë në atë Superiore.

Duke iu referuar bilancit të vitit 2019 (sezonin e kaluar ekipi ndodhej në Kategorinë e Parë, jo në Superligë), Apolonia raportoi një xhiro vjetore prej rreth 34 milionë lekësh, në rritje me 143% krahasuar me një vit më parë. Rritja e të ardhurave ka ndihmuar në përmirësimin e rezultatit financiar të shoqërisë. Për vitin 2018, Apolonia kishte raportuar humbje në vlerën e 14 milionë lekëve, ndërsa në vitin 2019, humbjet neto ranë në rreth 1.3 milionë lekë.

Megjithëse vlerësohet si një model pozitiv, edhe Apolonia ka humbje të mëdha të akumuluara në bilanc, për rreth 467 milionë lekë, ose pothuajse 3.8 milionë euro. Pavarësisht nga kjo, Apolonia është ndër klubet e pakta me nivel të mirë kapitalizimi. Në fund të vitit 2019, kapitali i paguar ishte 619 milionë lekë. I netuar me humbjet e akumuluara, në fund të 2019-s, kapitali ishte pozitiv për 152 milionë lekë. Këtë vit, aksionerët, Koço Kokëdhima dhe Bashkia e Fierit, kanë miratuar rritje të reja kapitali, duke e çuar kapitalin e paguar në 907 milionë lekë.

 

Klubet kërkojnë TVSH 6% dhe mostatim të pagave të lojtarëve për 10 vjet

Para fillimit të këtij sezoni, Liga e Klubeve Profesioniste të Futbollit iu drejtua qeverisë me një paketë kërkesash për lehtësime ligjore dhe fiskale të klubeve, me qëllim zbutjen e pasojave të krizës dhe tërheqjen e investimeve në futboll.

Sipas Ligës, situata e tejzgjatur e pandemisë dhe skenarët pesimistë për kapërcimin e shpejtë të saj, kanë dëmtuar financat e klubeve dhe financuesve të tyre, si dhe kanë zbehur në maksimum perspektivën e ofrimit të sponsorëve seriozë dhe të qëndrueshëm. Përballë kësaj situate, anëtarët e Ligës i kërkojnë qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të rishikojnë kuadrin aktual ligjor dhe të marrin disa nisma ligjore, në mbështetje të veprimtarive sportive të Kategorisë Superiore.

Kërkesat kryesore të klubeve të futbollit, të mbështetur edhe nga FSHF, janë: ndryshimet në ligjin për sponsorizimet, duke aplikuar sistemin e zbritjes nga tatimfitimi, pasi varianti aktual nuk është atraktiv për sponsorët; përfshirjen e të gjitha veprimtarive ekonomike të klubeve të futbollit në TVSH-në e reduktuar në masën 6%, si bujqësia dhe turizmi; faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet fiskale të klubeve; zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga tatimfitimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve nga 2 vite në 10 vjet.
Me qëllim plotësimin e kërkesave, klubet e futbollit hynë në një bojkot të paprecedentë, për rreth një muaj e gjysmë.

Kampionati që duhet të niste më 12 shtator, e luajti javën e parë vetëm në fillim të nëntorit. Megjithatë, presioni përmes bojkotit nuk dha shumë rezultat dhe qeveria vazhdon të refuzojë plotësimin e shumicës së kërkesave të klubeve.

 

Qeveria mbyll dyert. Ligji i sponsorizimeve nuk ndryshon

Ministria e Financave refuzon ta klasifikojë futbollin në të njëjtin rend me sektorë si turizmi apo bujqësia dhe të njohë shkallë të diferencuar të TVSH-së në 6%. Në muajin prill 2020, qeveria vendosi përjashtimin e pagave të sportistëve nga tatimet për dy vjet, në periudhën 2021-2022. Kjo lëvizje u bë me qëllim krijimin e një hapësire të përkohshme për të formalizuar pagat e sportistëve dhe kryesisht të futbollistëve të Superligës, ku edhe pagat janë më të larta.

Por, qeveria nuk duket e gatshme ta shtyjë këtë afat deri në 10 vjet, siç kërkojnë klubet.
Politikat diferencuese ose përjashtimore nga taksat janë kritikuar shpesh edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili vlerëson se politika të tilla krijojnë shtrembërime të trajtimit të tatimpaguesve, vështirësojnë administrimin fiskal dhe cenojnë bazën e të ardhurave.

Një çështje edhe më e komplikuar është ligji i sponsorizimeve. Zbritja e sponsorizimeve nga tatimet rregullohet me një ligj të vitit 1994, që përcakton se bizneseve mund t’iu zbritet deri në 4% të tatimfitimit për këto shpenzime. Në shkurt 2020, Ministria e Arsimit dhe Sportit hodhi për konsultim një projektligj që parashikonte zbritje deri në 20% të tatimfitimit për bizneset që sponsorizojnë shoqëritë sportive.

Liga profesioniste dhe FSHF kërkojnë që ky kufi të rritet në 30% të tatimfitimit, në modelin e vendeve fqinje. Megjithatë, deri tani, një projektligj i tillë nuk i është propozuar Kuvendit, qoftë edhe në variantin e parë, të propozuar nga MAS. Në fund të muajit tetor, Ministria e Financave është shprehur publikisht kundër ndryshimit të ligjit të sponsorizimeve.

Sipas FSHF-së dhe klubeve, deri më sot, ligji për sponsporizimet nuk ka prodhuar asnjë rezultat dhe nuk përbën nxitje apo lehtësim ndaj bizneseve që duan të sponsorizojnë klubet e futbollit. Ata shprehen se vetëm rritja e pragut të zbritshëm nga tatimfitimi, në të paktën 30%, mund të përbëjë nxitje reale për të shtuar sponsorizimet në futboll.

 

Klubet europiane presin 4 miliardë euro humbje nga kriza

Klubet europiane të futbollit parashikojnë të humbasin rreth 4 miliardë euro në dy vjet nga faktorët e lidhur me pandeminë e Covid-19. Rënia drastike e të ardhurave të klubeve lidhet me zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë, të të ardhurave nga sponsorizimet dhe uljet e kërkuara në kontrata nga blerësit e të drejtave televizive. Të drejtat televizive kanë sjellë rritje të mëdha të të ardhurave të klubeve në dekadat e fundit, por edhe ky burim i rëndësishëm është prekur nga kriza dhe pas ndërprerjes së kampionateve kombëtare dhe garave europiane pranverën e kaluar, shumica e kontratave u rishikuan.

Sipas përfaqësuesve të klubeve kryesore europiane, kjo situatë mund të çojë në një krizë likuiditeti për shumë prej tyre. Kjo mund të detyrojë shumë klube të shesin lojtarët për të mbijetuar. Rënia drastike e të ardhurave do të shkaktojë edhe ulje të ndjeshme të çmimeve të tregut të lojtarëve, që sipas vlerësimeve të para, pësoi një rënie me 20% deri në 30% që këtë verë.

Kjo gjendje do të prekë edhe pagat e futbollistëve, që në kampionatet më të pasura kishin arritur nivele tejet të larta. Një nga klubet më të mëdha dhe më të pasura në Europë, Barcelona, së fundmi njoftoi arritjen e një marrëveshjeje me futbollistët për uljen e pagave.