zoom

Aktualitet

Pak ditë pasi u vaksinuan, infektohen drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve në Gjirokastër dhe financierja

Drejtori i Shtëpisë së të Moshuarve në Gjirokastër Arjanit Muho dhe financierja Klodiana Qirushi janë infektuar me COVID-19, pak ditë pas marrjes së dozës së parë të vaksinës.

Ky është rasti i dytë në Shqipëri, pas mjekut infeksionist Pëllumb Pipero, që kemi të bëjmë me infektim pas marrjes së dozës së parë.

“Është një fenomen i njohur, por që nuk cënon efikasitetin e vaksinës, që përveçse nga kushtet si prodhohet e ruhet, ka dhe një element tjetër, që për faktin që është me dy doza, ndërtimi i antitrupave ndodh në një distancë 12-ditore nga doza e parë dhe pas një jave nga doza e dytë”, sqaroi asokohe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Ficom fill pas lajmit të bujshëm të infektimit të një prej figurave më popullore sa i takon përcjelljes së informacioneve rreth pandemisë në Shqipëri.

Kështu, Fico ripërsëriti atë që është thënë vazhdimisht, që prej hedhjes në treg të vaksinave; injektimi i dozës së parë nuk mjafton, ndaj deri në marrjen e dozës së dytë duhet treguar kujdes maksimal. Mbartësit e vetëm gjysmës së vaksinës janë ende rrezik për vetveten dhe të tjerët. “Sa efektive është vetëm doza e parë e vaksinës ndaj Covid-19”- do të titullohej pak ditë më parë një artikull i BBC-së, në të cilën theksohej rëndësia e marrjes së sasisë së plotë të vaksinës dhe kujdesit që nuk duhet humbur gjatë ditës së pritjes për dozën e dytë. E thënë shkoqur, vetëm doza e parë nuk mjafton!

Në një studim të publikuar dhjetorin e vitit të shkuar, Pfizer-BioNTech do të deklaronte se vaksına është afërsisht 52% efektive pas marrjes së dozës së parë. Ndërsa me aplikimin e dozës së dytë, pas një jave, fillon rritja e kundërtrupave deri në 95%.

“Ne jemi në një situatë kur njerëzit që janë vaksinuar me dozën e parë, qëndrojnë të përballen me një infeksion nga Covid-19 dhe kjo është arsyeja që kemi ngulur këmbë që edhe gjatë procesit të vaksinimit, edhe pas, duhen zbatuar rregullat, maska dhe distanca”, do të shtonte më tej drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik.