Aplikacion
Raporti jep një pasqyrë të zhvillimeve dhe ngjarjeve që kanë prekur gazetarët gjatë vitit të kaluar. Në rastin e Shqipërisë janë identifikuar 17 raste shkeljesh. “Dhuna fizike dhe sulmet verbale ndaj gazetarëve ishin kërcënimet më të rënda për lirinë e shtypit në Shqipëri në vitin 2022”, vë në dukje raporti sipas të cilit, “veçanërisht shqetësues ishte numri i incidenteve të dhunës së policisë ndaj gazetarëve, i cili lidhej me 7 nga 17 shkeljet (41%) të regjistruara”. Në raport sillen shembujt e “gazetarit Simon Shkreli, i cili u pengua me forcë nga policia teksa po filmonte një operacion të forcave speciale në Shkodër. Ndërsa në Tiranë, fotoreporteri Gent Shkullaku u përball me policinë, e cila i konfiskoi aparatin fotografik dhe e urdhëroi të fshinte fotografitë e huliganëve të futbollit që përlesheshin me policinë, duke pretenduar se fotot e tij po dëmtonin imazhin e vendit”.
Në raport vihet në dukje me shqetësim “retorika ndaj gazetarëve e kryeministrit të vendit, Edi Rama, përfshirë thirrjet për dërgimin në të ashtuquajturin “riedukim”, të gazetarëve që shtruan pyetje për çështje kritike dhe ndalimin e tyre për të marrë jesë në konferencat e ardhshme të shtypit”, duke sjellë si shembull rastin e gazetarit Klevin Muka të CNN A2, dhe të Ambrioza Metës, i Syri TV.
Raporti organizatave europiane përmend dhe rastet e gazetarëve Adriatik Doçi apo një gazetari tjetër të cilët kanë qenë viktimë të akteve të dhunës për shkak të detyrës.
Po ashtu përmendet fakti se “media të ndryshme online në Shqipëri u bënë viktima të sulmeve kibernetike në janar, pasi publikuan një rregjistrim audio të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke folur ashpër me zyrtarët lokalë të futbollit, në një skandal të dyshuar që lidhej me zgjedhjet në federatën e futbollit”. Raporti citon dhe urdhërin e Prorkurorisë së Tiranës e cila në shtator të vitit të kaluar “ndaloi mediat të publikojnë çdo të dhënë apo informacion nga dosjet e hakuara gjatë sulmeve kibernetike, duke kërcënuar me sanksione penale dhe bllokim të faqeve të internetit për ata që shkelin kufizimin”. Një tjetër rast shkeljeje përfaqëson, sipas raportit dhe rasti i “gazetarëve që mbulonin seancat publike të profilit të lartë të procesit të vetingut të Elizabeta Imerajt, Drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, të cilët u përballën me kërcënime, fushata shpifjesh, një padi për shpifje dhe zbuluan një shkelje të dyshimtë të të dhënave të tyre personale”.
Në muajin nëntor edhe Partnerët e Platformës së Këshillit të Europës për Siguri të Gazetarëve deklaruan në Tiranë, në fund të një misioni fakt-mbledhës, se liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar më tej, për shkak të ndërhyrjes së pronarëve dhe të qeverisë.
Po kaloni një ditë të keqe? Vetëm 20 sekonda dashuri për veten përmirëson shëndetin mendor