zoom

Aktualitet

“Orët në vijim kritike”, Ministria e Mbrojtjes: 4356 hektarë tokë janë nën ujë

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se situata me reshjet ne vend është përmirësuar.

Sipas njoftimit, është kryer evakuimi e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre dhe evakuimi i rreth 57 krerësh bagëti.

Ministria sqaron se situata është përmirësuar me tërheqjen e ujit në Shkodër dhe Lezhë.

Njoftimi:

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, ka një përmirësim të konsiderueshëm të situatës së krijuar si pasojë e reshjeve në vend, veçanërisht në dy qarqet më problematike, Shkodër e Lezhë.
Uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve.
Ka prani uji në rreth 4356 ha sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë, por situata po monitorohet me vëmendje.

Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Po ashtu janë evakuuar edhe 57 krerë bagëti.
Përmirësim të konsiderueshëm ka edhe situata në Lezhë, por orët në vijim mbeten sërish kritike, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut.
Në Bashkinë Lezhë zonat më të prekura janë njësitë Dajc, Blinisht, Balldren, ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa.
Në monitorim është edhe situata sa i përket nivelit të lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen.
E normalizuar paraqitet situata në Durrës, Kukës, Dibër.
Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave dhe do të qëndrojnë në terren edhe gjatë orëve të natës.