zoom

Të gjitha

Oligarkët e babëzitur, shkak për një revolucion popullor

Sa herë që shqiptarët janë ndërgjegjësuar që e gjithë pasuria e tyre është përqëndruar në pak duar, nuk janë menduar gjatë, kanë vepruar ashpër, duke permbysur gjithçka dhe sikurse ai lumi i rrëmbyer, kanë marrë osh çfarë u del përpara, duke rënë edhe vetë në greminën e hakmarrjes barbare.

A nuk ndodhi kështu, kur një dorë, prej pothuaj 10 feudalësh të mëdhenj, kishin përfshirë të gjithë pasuritë dhe nuk linin kënd prej shekujsh, që të merrte pjesë në politikbërje…!? Fillimisht nisi me eliminime fizike feudalësh të mëdhenj dhe më pas me tentativa për eliminimin kryefeudalit, vetë naltmadhnisë së tij, i cili në atë kohë kishte ndërmarrë shumë reforma. Më pas urrejtja e akumuluar ndër vite e shekuj për feudalët, e nakatosur me luftën e sapo nisur, i shpuri në gojën e djallit më të rrezikshëm shqiptar, të veshur me qyrk barazitis, me emrin utopik komunizëm, ku të verbuar nga ideologjia e eksperimentit, hodhën në erë gjithçka kishin bërë me mund e djersë gjer atëherë.

Revolucioni erdhi si një ortek i madh, ku të parët që vuri përfund, ishin ata që shpresonin për ditë më të mira, por jeta askete, me liri të vrarë, që bënë për një gjysëm shekulli, tregoi më në fund se, ata që vërvitnin ortekun, nuk ishin më shumë se “10-udhëheqës të vetëquajtur komunistë” që u kishin grabitur pushtetin punëtorëve dhe fshatarëve, pikërisht të pafatëve, që historia nuk i kishte favorizuar ndonjëherë.

Urrejtja që polli terrori dhe krimet makabre totalitare, prej përreth 10-liderëve diktatorë, anëtarë të byrosë politike, që rrokullisnin pasuritë dhe kishin shtënë në duar të hekurta institucionet dhe gjithë politikbërjen vendase, për herë të parë hyri në një shtrat të drejtë dhe për shqiptarët e vonuar, më në fund u bë reale ajo, që në planet sot njihet si udha më e drejtë politike, demokracia e ekonomisë së tregut me barazi në start. Por e gjithë kjo pati një kosto aq të madhe materiale dhe shpirtërore, saqë do të duhen breza për ta zëvendësuar.

Me mungesë eksperience për çështjet e demokracisë dhe të mpirë nga ndryshimet e menjëhershme dhe të mëdha që sjell vetëm ekonomia e tregut, shumë shpejt shqiptarët zgjodhën të shijojnë të mirat materiale të tregut, duke mos u kujdesur për lirinë dhe institucionet që kontrollojnë tregun dhe vetë demokracinë.

Kështu, mbas vitesh të tëra zhvatjeje, shqiptarët tashmë ndodhen edhe një herë përpara dilemës së madhe, për të bërë zgjidhjen e radhës. Në qoftë se radhën e parë u hynë nga çatia duke u rrëmbyer politikën dhe më pas pushtetin, këtë radhë grabitësit me një etimologji shumë të vjetër që quhet oligarki, kanë ardhur nga poshtë, duke rrëmbyer atë që është më e rëndësishme, vetë ekonominë, e cila sikurse raportojnë organet e Kontrollit të Shtetit apo raportet e përsëritura të organizmave ndërkombëtare përkatëse po gëlon nga koncesionet dhe PPP. Shkurt,  vetë realiteti e varfëria shqiptare na tregon akoma më qartë që e gjithë pasuria në vend është përqëndruar në duart e pothuaj 10 oligarkëve shqiptarë.

Oligarkët janë një rreth i ngushtë shokësh dhe miqsh që qëndrojnë shumë pranë qeverisë dhe që ushtrojnë kontroll politik dhe ekonomik, veçanërisht për arësye vetjake dhe korruptive. Të ndihmuar nga politika e subvencionit ata tashmë kanë përqëndruar pasuri të mëdha duke shkaktuar një polarizim të madh shoqëror shumë të dëmshëm për të ardhmen e demokracisë, por edhe të shoqërisë shqiptare.

Nga një vështrim i thjeshtë, pothuaj asnjë prej oligarkëve shqiptarë, nuk është pasuruar me anë të produktit të tij, askush prej tyre nuk ka një identitet të tijin, sikurse ka ndodhur me shumë homologë biznesmenë ndërkombëtarë, duke përmendur këtu, Steven Jobs, Zuckerberg, Bill Gates apo Kompaninë Amazon etj. Asnjë prej tyre nuk është bërë i njohur, apo të shquhet për produktin e tij i cili shitet në tregun shqiptar, apo atë ndërkombëtar. Fama e tyre dhe të ardhurat kryesore vijnë nga korrupsioni me asetet e shtetit, sikurse miniera të marra me koncesion, resorte të mëdha turistike, objekte të industrisë së naftës dhe gazit, energjisë etj, të cilat janë pronë e shtetit.

Suksesi i tyre në biznes është përqëndruar kryesisht duke u lidhur ngushtë me qeverinë dhe duke blerë dhe shitur interesa me përfaqësuesit e qeverisë. Ky është modeli klasik i oligarkut shqiptar. Mjafton të hedhësh një sy të mprehtë në raportet e KLSH-së apo raportet e BIRN, apo faktet e dala së fundi mbi funksionimin, investimin dhe licensat e inceneratorëve dhe mbetjeve urbane, për të kuptuar qartë këtë simbiozë të shëmtuar ndërmjet oligarkëve dhe përfaqësuesve të pushtetit shqiptar.

Përqëndrimi i të gjithë pasurive në disa duar ka sjellë atë që të gjithë pushtetet të përqëndrohen në duartë e një numri të kufizuar njerëzish. Njësoj sikurse në Rusi vendin avanguard të oligarkisë, edhe tek ne, për të qënë i pasur, duhet patjetër të kesh lidhje me pushtetin.

Natyrisht që probleme të tilla hasen edhe në vendet me demokraci të zhvilluar, por futja nga ana e jonë në këtë lloj ekonomie është një nga dëmët më të mëdha, kosto e të cilit, do të kërkojnë shumë mund, ndoshta dhe breza për ta larguar. Edhe Nobelisti Joseph Stiglitz, një nga emrat më të rëndësishëm në fushën e ekonomisë sot evidenton se: “Shumë pushtet në pak duar shtrëmbëron tregun, rrit çmimet, pengon inovacionet dhe në fund rrit pabarazitë…” Duke iu referuar shtetit amerikan në librin e tij “Populli, pushteti dhe përfitimet” ai thotë se gjysma e amerikaneve kanë më pak se njëmijë dollarë në bankë, ndërsa 150 milionë njerëz kanë më pak pasuri se tre miliarderët e parë të marrë së bashku (Jeff Bezos, Bill Gates dhe Warren Buffet)

Por në qoftë se ekonomia amerikane ka vite që ka hyrë në një rrugë të tillë, për Shqipërinë që hyri rishtas në rrugën e kapitalizmit, ekzistonin të gjithë mundësitë për të gjetur rrugë shumë më të favorshme, për t’i mundësuar asaj një zhvillim me të ardhme. Kapitalistët e rinj shqiptarë në fillimet e tyre nuk kishin asnjë pengesë nga klasat e vjetra, përballë kishin vetëm shtresën e politikanëve dhe sikurse po veprojnë me të shpejtë këto tetë vjet pasi kanë mbaruar shitjen e skrapit, po përfundojnë tërësisht blerjen dhe dhënien me koncesion të ndërrmarrjeve publike për dy lekë. Pushtimi i nëntokës, me të gjithë minierat dhe pasuritë nuk ka ngelur prapa pushtimit të të gjithë lulishteve dhe pronave publike të mbushura me beton e pallate shumëkateshe etj.

Të gjitha këto nuk u bënë duke i paguar taksën shtetit, por duke i dhënë haraçin pushtetarëve dhe duke u përzierë bashkë me njëri-tjetrin, ne nuk jemi në gjëndje, të gjejmë se ku mbaron biznesmeni dhe ku fillon pushtetari, sepse sapo një deputet le detyrën bëhet menjëherë biznesmen dhe e kundërta. Postet e larta të shtetit sikurse deputetë, ministra, ambasadorë, gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të lartë, nuk janë alternativa të meritokracisë, por thjeshtë mallra, që shiten e blihen në treg, sipas çmimit të kripur, që përballohet vetëm nga oligarkët.

Asnjë intelektual shqiptar nuk është më i motivuar për të marrë pjesë në politikbërje, për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e demokracisë, por edhe për t’u shpërblyer për punën e tij, sepse tashmë të gjitha nivelet e larta të shtetit nuk u përkasin grupeve të individëve, atyre që mund ta meritojnë, por janë thjeshtë çmime, për të cilat duhet paguar. Kjo është arësyeja që përpos largimit të krahut të lirë të punës, këto tetë vitet e fundit kemi një ikje në masë të inteligjencës nga Shqipëria. Përpos ikjes, kemi edhe një indiferencë të theksuar të inteligjencës e cila nuk është as në gjëndje të japë kontributin e saj në shkencë, politikë, art, letërsi sepse edhe këtu oligarkia ka monopolin e saj.

Nuk gjendet asnjë oligark shqiptar që nuk ka televizion, gazetë, apo portale, mbi të cilët ata kanë vendosur edhe monopolin e të vërtetës. Strukturat e larta të shtetit janë mbushur me inkompetentë, militantë, trafikantë votash, fëmijë pa eksperiencë, trafikantë narkotikësh, të dashura biznesmenësh dhe oligarkësh, bij gjyqtarësh dhe prokurorësh, që shpërblehen për favorët me drejtësinë e korruptuar dhe kur ndodhemi përballë situatave të vështira, sikurse rasti i ndarjes së detit me Greqinë, falim territor, sepse nuk jemi të aftë të mbrohemi dhe të ballafaqohemi denjësisht.

Rinia, si pjesa më progresive e shoqërisë, natyrisht që e ka kuptuar këtë situatë dhe shpresëhumbur, nuk shikon të ardhmen në vendin e saj. Të gjithë shërbimet publike sikurse shëndetësia arsimi dhe drejtësia janë lënë në pikë të hallit sepse ekonomia është vënë në dispozicion të shumëfishimit të të ardhurave të një grupi të vogël oligarkësh që gëlltit të gjithë të ardhurat e vendit. Edhe deklarimet false, që bën qeveria çdo vit, përsa i përket rritjes ekonomike nuk kanë asnjë vlerë, sepse ajo që ka rëndësi, është fakti, se ku shkojnë të gjitha këto të ardhura, të cilat nuk shkojnë në vend tjetër, veçse në barqet e panginjura të oligarkëve, ortakë të qeverisë.

Por ku do të shkojmë me këtë megakorrupsion që kemi krijuar…?  Ku vetëm 10 persona superpasurohen dhe gjithë të tjerët varfërohen progresivisht?  Ku 10 persona disponojnë të gjithë pasurinë ekonomike dhe politike të Shqipërisë dhe gjithkush tjetër nuk është veçse një vëzhgues pasiv i jetës së shfrenuar luksoze, arrogancës dhe korrrupsionit të pandëshkuar. A nuk është ky një shkak madhor për të provokuar revolucione të dhunshme?

Kohët e fundit, Presidenti i Republikës Ilir Meta, hodhi një ide me të ardhme, shumë të rëndësishme, sipas së cilës, e vetmja forcë që mund ta mposhtë këtë të keqe, që po i mbyt shqiptarët dhe i ka lënë në fundin e Europës, është ndërgjegja dhe forca popullore, së cilës ai i vetëm dhe me shumë kurajë ka ndërmarrë përsipër ta prijë.

Një ide me shumë rëndësi, e cila është hedhur me shumë të drejtë nga filozofi dhe sociologu i mirënjohur britanik dhe botëror, Anthony Giddens, ish-këshilltar i Tony Blair i cili thotë se: “kur qeveria braktis popullin, politika gjen vend në subpolitikë, në iniciativat qytetare, në grupet qytetare të individëve, në popull” të cilën ai e quan “demokracia dialoguese” e cila është e vetmja forcë që mund ta shporrë këtë mortajë, që njësoj sikurse koha e rëndë totalitare, i ka marrë frymën vendit.