Aplikacion
Bylykbashi shkruan në faqen e tij në Facebook, se Basha po bën pazar me Ramën për zgjatjen e afatit të Vettingut. Sipas tij, ai ka kërkuar në këmbim reformën territoriale, ku synon shtimin e disa bashkive në hartë, që PD shpreson të marrë.
Sipas tij, Rama dhe Basha po sillen siç bëhet tregtia me kuaj, kur në fakt opozita duhet të fokusohet në ndryshimin e një sistemi të ri zgjedhor që të mund t’i garantojë asaj votën e lirë.
POSTIMI I BYLYKBASHIT
“Më zgjat afatin e anëtarëve të vetingut, të të shtoj disa bashki ne hartë.” Këtë pazar i ofron Rama PD-së. Si tregti kuajsh. Më jep një kalë, të të jap një mushkë. Anglezët e quajnë “horse trading” apo tregti kuajsh. Kjo është kundër interesave parësorë dhe themelore të opozitës.
Reforma më kryesore për opozitën duhet të jetë ndryshimi i Kushtetutës për të vendosur një sistem të ri zgjedhor, sepse ky sistem që miratoi Rama pa konsensusin e opozitës më 30 korrik 2020 është i padrejtë, shkel parimet kushtetuese dhe është toksik për demokracinë.
Bashkë me të, duhet rishikuar ndarja territoriale e bashkive. Demokracia lokale po asfiksohet nga reforma e dështuar e 2014, e bërë keq me qëllim për të fituar zgjedhjet ne tavolinë. Pjesëmarrja në zgjedhjet bashkiake të 2019 ku opozita mund të fitonte gjysmën e bashkive, do të rekuperonte mospjesmarjen e opozitës në reformën territoriale. Por ky shans u humb kur u vendos të mos hyj në zgjedhje.
Gjithashtu duhet bërë reformë për të bllokuar, ndalur dhe ndëshkuar ndërhyrjen e shtetit në zgjedhje siç ndodhi më 25 prill 2021. Ky është rreziku më i madh që kanë zgjedhjet, shumë më i madh se bandat, sepse ndërhyrja e një shteti të politizuar në zgjedhje është sistematike, masive dhe kapilare.
Më pas mund të ndreqim dështimet e “sukseshme” të reformës në drejtësi. Sigurisht, dështimet nuk mund të lihen pa ndrequr sepse vuajnë shqiptarët që nuk po marrin më asnjë lloj drejtësie.
Por vota e lirë dhe e drejtë qëndron më lartë se vettingu sepse aty qëndron sovraniteti i popullit.
Sigurisht të gjitha këto duhen dhe mund të bëhen njëkohësisht që mazhoranca të mos luajë me “teorinë e sallamit” duke marrë nga një fetë e nga një fetë. Do të ishte naivitet i pafalshëm. Prandaj 94 votat për ndryshimin e Kushtetutës janë e vetmja garanci për opozitën. Nuk mund ta lëshojë. PD mund të japë votat e saj vetëm nëse sigurohen reformat e mësipërme që garantojnë votën e shqiptarëve. Përndryshe do të përsëriten reforma kushtetuese në drejtësi e 22 korrikut 2016 dhe marrëveshja e 5 qershorit 2020, kur opozita i dha votat paraprakisht në mirëbesim, shpresoi në garancitë që iu dhanë e më pas PS theu çdo konsensus.
Pazaret që ofron PS nuk kanë asgjë në interes të Opozitës. Nuk mund të qahemi nesër sërish. Sepse kur vret veten, nuk ka kush të merr hakun.
Shpërthimi në Zubin Potok, 8 të arrestuar në Veri! Kapet arsenal armësh e uniformash ushtarake