zoom

Politikë

Objektivat e vendosura nga Basha, ja si renditen drejtuesit politik të PD/ Kush doli më mirë?

Partia Demokratike hyri në zgjedhjet e 25 prillit me objektivin për të marrë 707 mijë vota të cilat do të mund t’i siguronin asaj një numër mandatesh që bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim të qeverisnin vendin.

Për secilin prej 19 drejtuesve politik, Lulzim Basha kishte përcaktuar objektiva të cilat do të ishin edhe kriteri matës për besimin që i ishte dhënë për të qenë drejtues të listave të kandidatëve për deputetë.

Por nga 15 prej drejtuesve politikë të Lulzim Bashës nuk mundën të përmbushnin objektivin e votave të përcaktuar nga kryedemokrati, rezultat që më pas u reflektua edhe në numrin e mandateve që PD mori në 25 prill.

Këto janë objektivat e përcaktuara nga kryedemokrati për drejtuesit politik, teksa në krah është rezultati që gjithsecili prej tyre ka marrë në zonat që ka mbuluar.

Në listën e drejtuesve politikë që nuk mundën të përmbushin pritshmëritë e demokratëve është edhe lidershipi aktual i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Edi Paloka dhe Edmond Spaho.

Por shumë më larg objektivave të vendosura nga kreu i demokratëve ka qenë drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës, Helidon Bushati.

Udhëheqësi i listës së Shkodrës ka marrë 47.205 vota ose 16.401 vota më pak se objektivi i përcaktuar nga demokratët. Pas tij në listën e personave që janë më larg objektivit të vendosur nga PD është Enkelejd Alibeaj që drejtoi demokratët në Fier. Për ish-ministrin e drejtësisë mungojnë 14.820 vota nga objektivi që ishte 79.500 vota.

Me përjashtim të qarqeve ku matematika e bënte të pamundur marrjen e mandateve të cilat janë reflektuar në rezultatet e dobëta për Flamur Hoxhën më Kukës, Xhelal Mziun në Dibër dhe Tritan Shehun në Gjirokastër, për demokratët rezulton të ketë qenë larg pritshmërive edhe rezultati në Vlorë.

Bujar Leskaj ka marrë 7.972 vota më pak se objektivi që kishte. Edhe në Berat demokratët prisnin një numër më të lartë të votave, ku sipas rezultatit të marrë mungojnë 9971 vota, në qarkun qe e drejtoi Tomor Alizoti.

I vetmi që ka mundur të përmbush pritshmëritë e Lulzim Bashës është kreu i Forumit Rinor, Belind Këlliçi, i cili ka marrë 5.027 vota më shumë se objektivi i vendosur nga Lulzim Basha.

Mbi vijën e kuqe të vendosur nga Basha renditet edhe Agron Shehaj, Aldo Bumçi dhe Albana Vokshi.

OBJEKTIVAT E VENDOSURA NGA PD PER DREJTUESIT POLITIK

DREJTUESI OBJEKTIVI REZULTATI

-Xhelal Mziu 37.000 29.020
-Bujar Leskaj 40.100 32.128
-Edmond Spaho 60.455 50.479
-Edi Paloka 64.000 63.393
-Gazment Bardhi 60.000 57.878
-Enkelejd Alibeaj 79.500 64.680
-Tritan Shehu 23.500 13.971
-Flamur Hoxha 24.360 24.701
-Flamur Noka 34.200 33.056
-Grida Duma 18.300 14.064
-Mark Marku 37.000 33.998
-Helidon Bushati 63.600 47.205
-Aldo Bumçi 20.450 20.897
-Jorida Tabaku 27.700 25.696
-Alfred Rushaj 19.450 17.463
-Agron Shehaj 24.700 25.886
-Belind Këlliçi 17.800 22.827
-Albana Vokshi 22.400 22.446
-Tomorr Alizoti 33.000 23.029