zoom

Të gjitha

“Nuk shkova as në varrim”! Mes lotësh, Gentian Zenelaj flet për humbjen e të atit

Gentian Zenelaj humbi në muajin dhjetor njeriun e tij më të shtrenjtë, të atin, për shkak të Covid-19. Në kohën që babai i tij u nda nga jeta, aktori i humorit ishte dhe vetë i infektuar dhe ai ka treguar se e ka kaluar me shumë vështirësi sëmundjen.

“E kalova vetë në kurriz është një sëmundje e tmerrshme. Unë kam pasur 55% prekje të mushkërisë. E kam kaluar në formën më të rëndë të mundshme dhe një djalë që deri në nëntor zhytej 20 metra dhe në 4 janar nuk lidhja dot këpucët, nuk bëja dot një korridor. Do kujdesin maksimal, nuk duhet anashkaluar në asnjë moment, sepse bën kthesë brenda ditës. Pata shumë frikë për fëmijët, mendova që i braktisa në momentin më delikat të jetës së tyre. Kisha frikë dhe për veten, por kisha një frikë shumë të madhe për familjarët e mi”, rrëfeu Gentiani disa ditë më parë në emisionin “Fitstation”.

Ndërkohë dje ai ishte i ftuar në programin “Rudina” dhe mes lotësh tregoi momentet e fundit me babanë e tij. Gentiani tha se nuk mundi ta takonte babanë gjatë kohës që ai ishte i sëmurë dhe se madje nuk i shkoi as në varrim.

“Kjo është gjëja që më vret shumë sepse kjo është një sëmundje që ti je thellësisht i vetmuar dhe nuk ke mundësi t’i mbash dorën njeriut tënd të dashur, që nuk ke mundësi t’i rrish afër dhe t’i japësh pak shpresë. Ky ishte mendimi më i keq që unë kisha për ato tre javë ku babai im ishte i shtruar në spital. Unë kam disa video-call me të megjithëse ai kishte një maskë të madhe në fytyrë dhe unë shumë pak merrja nga ai. Por realisht nuk ma merrte mendja që babai im do ikte sepse mamaja është më me probleme shëndetësore, me ftohje të vjetra, me ujë në zemër. Është e pabesueshme që babai im të degradonte në këtë gjendje. Dita kur u intubua ishte shumë e vështirë për mua, ai bëri tre arrest kardiak dhe s’ma merrte mendja kurrë që ai njeri të kishte një zemër aq të fortë sepse të mbash 3 javë, 60 litra oksigjen, duhet të kesh një zemër shumë të fortë. Nuk shkova as në funeral, mamaja ime përjetoi një periudhë shumë të keqe sepse vëllai im për fat të keq ishte në Suedi, aeroportet ishin të pamundura. Ishte një situatë kaotike në familjen time dhe thosha o Zot çfarë po ndodh.”, rrëfeu Gentiani i përlotur.