Aplikacion
Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë tha se kulmin kriza do e njohë në mesin e vitit të ardhshëm, por qeveria do të mbrojë më të dobëtit.
Kryeministri tha se nesër do të bëhet publik plani për krizën energjetike, ndërsa paralajmëroi se pas rritjes, çmimet nuk do kthehen kurrë siç ishin më parë. Gjatë fjalës së tij Rama, pak pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, theksoi se prioritet i qeverisë është mbrojtja e konsumatorëve, por edhe për bizneset e vogla dhe deri te bizneset e mëdha.
“Është një situatë shumë e ngjashmë me situatën e pandemisë, pasi të gjithë janë të afektuar. Të gjithë janë të përfshirë në një arsyetim sesi duhet ta përballin këtë situatë. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezente me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm. Edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin përpara shfaqjes së krizës. Ajo që na takon është që ne të mbrojmë konsumatorët tanë, nga poshtë lart. Duke patur parasysh ata që janë më në nevojë, tek biznesi i vogël dhe më tutje. Rendi i prioriteteve është nga më të dobtit, tek më të fortit. E vetmja rritje çmimi që ka ndodhur në periudhën e qeverisjes tonë i takon vitit 2015 kur hymë në reformën e energjisë.
Diferenca mes çmimit të vjetër dhe të riut në atë kohë për 200 mijë individë dhe familje, paguhet sot nga shteti”, tha Rama.
Kryeministri tha se është i shqetësuar dhe për shkak të krizës sot “fle më pak se çdo qytetar”.
“Për shkak të detyrës unë sot fle më pak se çdo qytetar, sepse i ndjej shqetësimet e tyre. Sot për sot është shumë e rëndësishme që adresojmë problemin”, tha Rama.