zoom

Politikë

Non-grata/ “Për Berishën i njëjti standard si Tom Doshi”? Përgjigjet Basha

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një konferencë me gazetarët për raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas Bashës raporti i final nga OSBE ka konfirmuar atë që ai e konsideron, masakër zgjedhore.

“Ne do të përdorim të gjithë forcën që shqiptarët na kanë dhënë më 25 prill, për t’ua kthyer pushtetin qytetarëve. Raporti i 25 prillit duhet ti përkasë të shkuarës dhe jo të ardhmes që shqiptarët meritojnë”, tha Basha.

Gjithashtu kryedemokrati është pyetur për kërkesën e tij të bërë para fushatës zgjedhore që Tom Doshi të mos kandidonte për shkak se u shpall non-grata nga SHBA, tashmë a do të aplikohet i njëjti standard edhe për ish-kryeministrin Berisha i cili u shpall non-grata.

Basha theksoi se Partia Demokratike detyroi mazhorancën që të pranonte kriminalizimin e politikës, por më tej kryedemokrati nuk ka pranuar të komentojë çështje që nuk kanë të bëjnë me raportin final të OSBE/ODIHR duke u shprehur: “Nuk kam për të komentuar asnjë çështje që del jashtë këtij raporti. Çdo defelektim nga raporti nuk i shërben interesit publik”.

Pyetje: Para fushatës zgjedhore ju kërkuat që Tom Doshi të mos kandidonte për zgjedhje për shkak se ishte shpallur non-grada nga SHBA. A aplikohet i njëjti standard për ish-kryeministrin Sali Berisha që u shpall non-grata?

Basha: Ne jemi krenar për ligjin për dekriminalizimin. Edhe pse nuk i kishim numrat në parlament detyruam mazhorancën të pranonte në 2014 plagën e rëndë të kriminalizimit të politikës. Kriminalizimi i politikës është një vepër e mirë menduar e kreut të kësaj partie. Është kthyer në një problem jo vetëm për PS dhe vendin, por edhe ekonominë. Beteja jonë për dekriminalizimin do të vazhdojë më të gjithë fuqinë.

Pyetje: Reformë të re zgjedhore në shtator?

Basha: Që institucionet nuk janë në shërbim të njerëzve këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Shteti ka goditur votën e lirë dhe të fshehtë që është themeli i drejtësisë. Më 25 prill nuk ka ndodhur thjesht një masakër zgjedhore, por edhe ka rënë demokracia. Detyra para nesh është shumë më e madhe se sa ribërja e një reforme zgjedhore të standardeve demokratike.

Detyra është që të bëjmë gjithçka që aspiratat e shumicës së shqiptareve të gjejnë shprehje brenda dhe jashtë parlamentit. Këtu përfshihet edhe fakti për ti dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor që siguron votën e fshehtë.