zoom

Bota

Një vit pandemi, Biden: Deri më 1 maj të gjithë të rriturit të kenë të drejtën të vaksinohen

Presidenti Joe Biden shënoi një vit që kur pandemia e koronavirusit filloi të përhapej në Shtetet e Bashkuara, me fjalimin e tij të parë televiziv të enjten në mbrëmje, duke përkujtuar humbjen e më shumë se gjysmë milioni jetësh dhe ofruar shpresë për ditë më të mira përpara.

“Një vit më parë, ne u goditëm nga një virus që u prit pa përgjigje dhe u përhap në mënyrë të pakontrolluar. Për ditë, javë dhe muaj, refuzimi për ta pranuar këtë fakt rezultoi në më shumë vdekje, më shumë infeksione, më shumë stres dhe më shumë vetmi”, tha Presidenti Biden.

Ai tha se do të udhëzojë shtetet që deri më 1 maj të gjithë të rriturit të kenë të drejtën të vaksinohen për koronavirusin dhe u bëri thirrje amerikanëve të mbeten vigjilentë ndaj virusit, disa orë pasi nënshkroi një ligj për paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh.

Zoti Biden foli me forcë për ndikimin e zymtë që pati virusi dhe tha se po punonte për të shpejtuar vaksinimet ndaj COVID-19 për të krijuar një ndjenjë më të madhe normaliteti në vend deri në Ditën e Pavarësisë amerikane më 4 korrik.

Kjo datë është një pikësynim i ri për presidentin, i cili ka paralajmëruar amerikanët se virusi do të vazhdojë të shkaktojë dhimbje dhe vdekje të mëtejshme. Mbi 530,000 njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, shifra më e lartë mes të gjiha vendeve. Bllokimet dhe kufizimet e lidhura me koronavirusin kanë shkaktuar humbjen e miliona vendesh pune.

“Gjetja e dritës në mes të errësirës është një karakteristikë tipike e amerikanëve. Në fakt, mund të jetë më tipikja”, tha ai.

Ndërsa një numër në rritje njerëzish që po vaksinohen përfitojnë nga paketa financiare, presidenti Biden shprehu optimizëm të përmbajtur në një vend që ashtu si pjesa tjetër e botës, është lodhur nga kufizimet pandemike dhe pasojat ekonomike.

Biden tha se po urdhëronte shtetet dhe territoret amerikane që të hapnin vaksinimet për të gjitha grupet e të rriturve të popullatës deri më 1 maj. Shtëpia e Bardhë ka thënë se do të ketë furnizim të mjaftueshëm me vaksina për të imunizuar popullatën deri në fund të majit. Rreth 10% e amerikanëve janë vaksinuar plotësisht deri tani.

Presidenti njoftoi gjithashtu një shtesë prej 4,000 trupash amerikane që do të ndihmojë në përpjekjet e vaksinimit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 6,000 dhe tha se familjet dhe miqtë duhet të jenë në gjendje të mblidhen përsëri në grupe të vogla deri më 4 korrik, një festë që shumë amerikanë e shënojnë me piknike, ushqime dhe fishekzjarre.

Shtëpia e Bardhë po kërkon gjithashtu ta zgjerojë grupin e njerëzve në gjendje të administrojnë vaksina, duke përfshirë dentistë, optometristë, paramedikë, veterinerë dhe studentë të mjekësisë.

Presidenti Biden bëri fushatë vitin e kaluar me premtimin se do ta menaxhonte pandeminë në mënyrë më efektive sesa presidenti republikan Donald Trump dhe ka synuar ta bëjë sjelljen e tij model, duke inkurajuar masa si mbajtja e maskave, diçka që zoti Trump e kishte shmangur.

Ai inkurajoi amerikanët që të vazhdonojnë me masat për frenimin e pandemisë – duke mbajtur maska, duke ruajtur distancën fizike dhe duke praktikuar një higjienë të mirë – për të ndaluar përhapjen e tij ndërsa ritmi i vaksinimeve rritet. Një numër shtetesh kanë lehtësuar kufizimet.

“Ne u përballëm dhe kapërcyem një nga periudhat më të vështira dhe të zymta në historinë e këtij vendi, më e errëta që kemi njohur. Ju premtoj që do të dalim prej saj më të fortë”, tha ai.

Fjalimi i zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë po vjen 50 ditë pasi ai mori detyrën dhe pothuajse saktësisht një vit pasi pjesa më e madhe e ekonomisë amerikane pasi koronavirusi u përhap shtet pas shteti në një vend që ishte i papërgatitur për krizën më të madhe shëndetësore që nga epidemia e gripit të vitit 1918 .

Një shans për rimëkëmbje

Më herët të enjten, Presidenti Joe Biden nënshkroi duke e kthyer në ligj paketën stimuluese prej 1.9 trilionë dollarësh, një masë që synon të lehtësojë amerikanët e të forcojë ekonominë, në praninë e nënpresidentes Kamala Harris.

Paketa mori të mërkurën miratimin përfundimtar të Kongresit, duke i dhënë presidentit demokrat një fitore të madhe në këto muaj të parë të mandatit të tij. Zoti Biden dhe anëtarë të lartë të administratës së tij do të bëjnë një turne në shtete të ndryshme për të folur për meritat e legjislacionit dhe për ta shpjeguar atë.

“Ky ligj historik ka të bëjë me rindërtimin e shtyllës kurrizore të këtij vendi dhe synon t’u japë njerëzve të këtij vendi, – njerëzve që punojnë dhe njerëzve të klasës së mesme, njerëzve që ndërtuan vendin – një shans për të luftuar”, tha zoti Biden para nënshkrimit.

Paketa siguron 400 miliardë dollarë të cilat do të jepen në formë pagesash direkte prej 1400 dollarësh për shumicën e amerikanëve, 350 miliardë dollarë ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale, një zgjerim të pagesës për fëmijët dhe rritje të fondeve për shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-19-s.

Projekt-ligji u miratua pa një votë të vetme nga republikanët, të cilët ishin ankuas se kostoja e saj ishte shumë e lartë.

Masat për izolimin filluan nën administratën e zotit Trump, i cili e minimizoi krizën në fazat e saj të hershme ndërsa bëri shpesh parashikimin se virusi do të zhdukej së shpejti, megjithëse administrata e tij bëri përpjekje për të përshpejtuar zhvillimin e vaksinave.

Ish- presidenti dhe gruaja e tij, Melania Trump, nuk u shfaqën në mesazh televiziv publik të enjten ku të gjithë ish-presidentët amerikanë që jetojnë dhe bashkëshortet e tyre, inkurajuan amerikanët të bënin vaksinat COVID-19./VOA/