zoom

Aktualitet

Një spraj hundësh mund të na shpëtojë nga Covid-i? Çfarë ndodhi vitin e shkuar në Izrael

Një ilaç që aplikohet në hundë mund të ketë shpëtuar disa njerëz nga Covid-i. Sipas studimit më të fundit, thuhet se ekziston mundësia që një spraj të ketë ruajtur disa hebrenj nga virusi i rrezikshëm, gjatë një festivali fetar në Izrael, vitin e shkuar. Mendohet se Taffic, i cili mbulon pjesën e brendshme të hundës me një shtresë acidike e ka bërë tepër të vështirë depërtimin e grimcave virale.

Qyteti i mbipopulluar Bney Brak, katër milje (6.3 km) në lindje të Tel Aviv vuri re se niveli i infektimit të tij u rrit nga 18 përqind e popullsisë në 28 përqind, pas vitit të ri hebre në shtatorin e kaluar. Interesant ishte fakti se në mesin e tyre, një grup hebrenjsh ortodoksë, të cilët kishin aplikuar sprajin në fjalë, nuk u prekën nga sëmundja e rrezikshme.

Prodhuesit e sprajit të hundës, Nasus Pharma, së bashku me shkencëtarët nga Universiteti i Haifa-s dhe Universiteti i Virginia-s morën nën vëzhgim të detajuar 243 persona. Nga 81 vetët që ranë dakord dhe e përdorën ilaçin çdo pesë orë, asnjë nuk u infektua. Ndonëse ende nuk mund të flitet me siguri dhe ende nuk kemi të bëjmë me një rezultat të mirëfilltë shkencor, ku nevojitet marrja nën mbikëqyrje e shumë më shumë njerëzve, disa shkencëtarë besojnë se spraji i hundëve mund të luajë një rol të rëndësishëm në luftimin e pandemisë.

Sidoqoftë, studiuesit paralajmërojnë se spraji nuk është kurrsesi një zëvendësim i maskave të fytyrës apo distancimit social. Më tepër duhet konsideruar një masë shtesë ndaj frenimit të pandemisë.