Aplikacion
Larry Miller, i cili është shefi i brandit për Jordan, foli për vrasjen e vitit 1965 në një intervistë për revistën Sports Illustrated.
“Po më hante brenda.”- tha ai për veprimet e tij në moshën 16 vjeçare, kur ai ishte pjesë e një bande.
Miller vuajti një dënim me burg për vrasjen. Ai thotë se nuk ka gënjyer kurrë për këtë, por e ka mbajtur të fshehtë.
Miller ka rrëfyer se ai ishte bashkuar me një bandë në Filadelfian Perëndimore që në moshën 13-vjeçare.
Kur një mik u vra nga një anëtar i bandës rivale, Miller, që atëherë ishte vetëm 16 vjeç, mori një pistoletë, u deh sëbashku me tre shokë dhe shkoi për të marrë hak për shokun e ndjerë.
Në vend të kësaj, më 30 shtator 1965, ai qëlloi në gjoks personin e parë që ata takuan: 18-vjeçarin Edward White. “Kjo është ajo që e bën edhe më të vështirë për mua, sepse ishte pa asnjë arsye.”- tha ai.
Miller ka treguar se e ka fshehur prej kohësh këtë histori nga fëmijët e tij, miqtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të biznesit dhe këtë e ka konsideruar mjaft të vështirë.
“Sepse për vite, unë ika nga kjo. Unë u përpoqa ta fsheh dhe shpresoja se njerëzit nuk do e merrnin vesh për këtë.”- tha ai për Sports Illustrated.
Miller ka punuar për Nike që nga viti 1997 dhe menaxhon operacionet e përditshme të Nike Basketball, Jordan Brand dhe Converse.
Ai është gjithashtu një ish-ekzekutiv në Kraft Foods dhe Campbell Soups, dhe një ish-president i ekipit të basketbollit profesional Portland Trail Blazers.
Miller thotë se nuk ka gënjyer kurrë për kohën e tij të burgut në aplikimet për punë. Përpara intervistës, Miller thuhet se informoi anëtarët e rrethit të tij të ngushtë, përfshirë legjendën e basketbollit Michael Jordan dhe komisionerin e NBA Adam Silver, për incidentin.
Nike i tha BBC News në një deklaratë se jeta e Miller ishte “një histori e jashtëzakonshme e shanseve të dyta”.
“Ne jemi krenarë për Larry Miller dhe shpresën dhe frymëzimin që mund të ofrojë historia e tij.”- tha kompania, duke shtuar se ajo mbështet politikat që ndihmojnë ish-të burgosurit “të ecin përpara me jetën e tyre”.
Miller thotë se ai shpreson se historia e tij mund të ndihmojë në largimin e të rinjve nga një jetë dhune dhe të frymëzojë njerëzit e burgosur të dinë se ata ende mund të japin një kontribut për shoqërinë.
“Gabimi i një personi, ose gabimi më i keq që kanë bërë në jetën e tyre, nuk duhet të kontrollojë atë që ndodh me pjesën tjetër të jetës tuaj.”- tha ai.