zoom

Aktualitet

Një ditë pas përplasjeve të dhunshme, serbët mblidhen para komunave në veri! Ç’po ndodh në Kosovë

Qindra serbë janë grumbulluar sërish në sheshet përpara godinave të komunave, aty ku një ditë më parë pati dhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të KFOR, ku të paktën 25 prej tyre mbetën të lënduar.

Në Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, e marta shënon ditën e tretë të protestave që duket se nuk do të ndalen pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci deklaroi në orët e para të mëngjesit se do të shkojë në zyrë për të vijuar punën e tij, i ndihmuar dhe nga trupat e KFOR.

Sipas REL, sot ka një numër më të vogël protestuesish serbë në Zveçan, krahasuar me një ditë më parë.

Godinën e komunës dhe zonën përreth janë duke e siguruar ushtarë të KFOR-it. Të pranishëm ka edhe udhëheqësit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Një ditë më herët, në këtë komunë pati përleshje mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, të cilat rezultuan me dhjetëra të plagosur në të dyja anët.