zoom

Politikë

Nishani: Duhet një projekt i ri në PD! Në garë për kryetar? Në politikë kurrë nuk thuhet “kurrë”

Ish-Presidenti Bujar Nishani, një nga zërat që kërkon largimin e kryedemokratit Lulzim Basha nga drejtimi i Partisë Demokratike, pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit, sqaroi në studion e “News24” arsyet pse e kërkon një gjë të tillë.

Nishani tha se projekti dhe modeli i Lulzim Bashës në këto tetë vite dështoi, ndaj dhe sipas tij, nëse vazhdohet me këtë model, Edi Rama do vijojë edhe 14 vite të tjera të jetë në pushtet.

 

Sipas Nishanit, Basha duhet të tërhiqet nga drejtimi i PD dhe t’i hapë rrugë një projekti të ri. I pyetur nëse do të kandidojë për kryetar të PD, Nishani theksoi se “nuk e kam menduar asnjëherë, deri në këtë çast, dhe ky nuk është qëllimi apo synimi im, por në politikë kurrë nuk thuhet kurrë”.

 

Intervista:

 

Si e cilësoni 25 prillin?

Bujar Nishani: Në gjykimin tim, në eksperiencën time dhe analizën time, që pas vitit 2013, pas atyre zgjedhjeve, në Shqipëri ka pasur farsa elektorale, farsa zgjedhore, nuk ka pasur procese zgjedhore bazuar mbi norma, parime, kritere e standarde. Nuk ka pasur ndonjë ndryshim nga zgjedhjet e 2017, as ndryshim nga zgjedhjet lokale të 2019. Ka qenë një replay, de javu, e atyre standardeve, që kanë ndodhur që nga 2013, deri më 2021. Jemi në një situatë, ku përtej faktit që shoqëria e shtetit shqiptar kanë pësuar një kolaps, të gjithë jemi në një gropë, ku nuk po dalim e frymojmë dot, edhe proceset zgjedhore, që duhet të ndryshojnë këtë situatë kolapsi, janë po të njëjta. Jemi në të njëjtën situatë ku kemi qenë më parë, nuk ka asnjë ndryshim.

 

Megjithatë, 25 prilli u përshëndet nga të gjithë dhe Rama ka një mandat të tretë, çfarë do të thotë kjo?

Në kuptimin formal, ajo është një fitore elektorale për PS dhe e tillë është konfirmuar edhe nga numri i votave, edhe nga gjykimi që i ka bërë arbitri ndërkombëtar, edhe nga pranimi i zgjedhjeve e rezultatit dhe konfirmimi që i kanë bërë ndërkombëtarët, por kjo ka konfirmuar vijimin e agonisë të Shqipërisë e shqiptarëve. Një qeveri që vijon të qeverisë pas 8 vitesh skandale, dështime, varfëri, do të vazhdojë me të njëjtin stil. Përkundrazi, do të rritet arroganca edhe më shumë, do të thellohet e keqja. Ajo që prisja unë në këto zgjedhje ishte përgjegjësia e opozitës. Nuk prisja të ndryshonte e reflektonte Edi Rama. Mekanizmat janë të rëndësishëm, që duhet të ndryshojnë status quon e Shqipërisë. Kur mekanizmat nuk janë të suksesshëm, fataliteti merr doza edhe më të mëdha.

 

Çfarë fushate bëri opozita, sa e fortë ishte?

Në eksperiencën time, analiza e një fushate nuk kryhet dot brenda 24 orësh apo dy ditësh, por kërkon një afat të shtrirë në kohë. Është e domosdoshme për t’u zhvilluar, por do afat. Ne kemi një sistem rajonal-proporcional dhe sfidat, mangësitë apo avantazhet ndryshojnë nga një zonë në një tjetër. Kjo analizë në terren se si u zhvillua fushata, ku pati problematika, cilat ishin anët e dobëta, është një proces që do të vijë, duhet bërë patjetër, por do kohën e vet. Sot mund të them që kjo ishte një fushatë e imponuar për shkak të pandemisë, e fokusuar te komunikimi virtuale, që u keqpërdor, duke krijuar një imazh fake, përmes lajmeve të stisura nga kamera të kontrolluara, por ajo që më ra në sy, për aq sa e preka terrenin gjatë fushatës, kishte të bënte që PD nuk arriti të kontrollonte territorin. Kjo u konfirmua me një fakt kokëfortë, fakti më domethënës, që është pjesëmarrja shumë e ulët në qendrat e votimit. Ne kemi një pjesëmarrje jo vetëm më të ulët se ajo që ishte më 2017, që do të thotë se nuk ka mbështetje më qeveria aktuale, pra njerëzit nuk shkuan ta mbështesin, por nuk kanë as besimin tek opozita. Mendoja se gjatë fushatës, opozita do dinte ta organizonte, të dilte mbi atë pamundësinë, paaftësinë, e artikulimit të një strukture të madhe të këtyre 8 viteve dhe do dinte të gjente çelësin e fushatës, por rezultoi se nuk e gjeti dot. Nëse ne kemi një mosbesim të madh te qeverisja, kjo është e kuptueshme, por është e papranueshme që te mekanizmi i vetëm, që ka me demokracinë, për të rrëzuar këtë model qeverisjeje, tek opozita, nuk e gjeti këtë besim. Nëse ne më 25 prill do të shihnim te kutitë e votimit minimumi 56% të jesh i sigurt që sot qeveria e Ramës do të ishte një minorancë e papërfillshme.

 

Ju atakoni drejtpërdrejt z. Basha, kur thoni këto?

Në politikë veprohet mbi bazën e një projekti të caktuar dhe konkludohet me procesin final, që janë zgjedhjet. Kryetari, që del e kërkon mandat udhëheqjeje, drejtimi e orientimi për gjithë partinë e tij, ka dhe përgjegjësinë e madhe, siç ka privilegjin e madh. Në momentin që ky projekt i hartuar nga z. Basha, në këto 8 vite, ka dështuar në mënyrë të përsëritur për të rrëzuar modelin e Ramës, këtu nuk ka më analizë se kush është modeli i Ramës, por ky i fundit nuk ndryshon. Askush të mos presë që Rama do të ndryshojë, ajo që duhet të ndryshojë është taktika, projekti i mekanizmit të vetëm për ta zhbërë modelin e Ramës, që është opozita.

 

Çfarë prisnit nga fjalimi i Bashës pas humbjes?

Padyshim që kisha pritshmëritë e mia, sepse modeli im politik është modeli që kemi mësuar nga shkolla e perëndimit, nga shkolla europiane. Kur një projekt politik dështon, i adresohet atyre që të kanë mbështetur e besuar, që t’i kërkosh falje, t’i falënderosh për besimin që të dhanë, dhe të tërhiqesh për t’i hapur rrugën një modeli të ri dhe bëhesh pjesë e këtij modeli, këtij projekti të ri. Çdo njeri sot nuk mund të mbetet peng i status quos, ku është PD sot. Pas 8 vitesh qeverisje të PS, skandalesh të shumta, dështimesh të shumta, PD megjithëse pati brenda edhe disa parti të tjera, që nuk i ka pasur më 2017, sot rezultoi me 10 pikë % pas PS sërish, kjo është e papranueshme. Presupozohet që pas 8 vitesh të jesh të paktën 4-5 pikë përpara partisë që ka qeverisur. Kështu që unë prisja që në normalitet të përfundonte procesi, dhe në momentin që po prisnim të gjithë fjalën e kryetarit, përgjegjësit kryesor të dështimit të PD dhe opozitës, atëherë kur pamë që ai në vend që të kërkonte ndjesë, tha se beteja sapo ka nisur, kur në fakt ai betejën ka 8 vite që e ka nisur. Ai ishte i qartë, që nuk do të dorëzohet, por do të vazhdojë. Me këtë ai në një far mënyre e pranoi rezultatin e zgjedhjeve, por rezultatin e njohu OSBE/ODIHR, ambasadat e huaja në Tiranë. Ai nuk reflektoi, por vazhdoi me këmbëngulje të ruajë status quon e dështimit në PD, ndaj dhe ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtij dështimi.

 

Do ishit gati për të kandiduar në PD?

As e kam pasur kurrë në projekt një gjë të tillë. Unë kam marrë vlerësime maksimale nga PD, nga fuqia e PD. PD nuk është kurrë një njeri, as pesë, as dhjetë, por janë qindra mijëra, që janë simpatizantë, votues, etj. Është një shtëpi e madhe PD dhe unë kam marrë vlerësime maksimale dhe jam përpjekur që këto vlerësime t’i shpërblejë me punë, dinjitet, ndershmëri. Jam i bindur që e kam arritur balancën mes vlerësimit dhe shpërblimit me punë, ndaj nuk kam pasur ego për poste të caktuara. Ajo që më shqetëson sot është fakti se ne nuk mund të rrimë më peng i një projekti të dështuar. Unë e di kush është Edi Rama. Ndaj sot nuk është fare në rend dite se kush do të jetë kryetari i PD, absolutisht që do të diskutohet edhe kjo. Për mua me rëndësi është të fillojë një ndryshim në model, në strukturë, e PD. Duhen përgatitur mekanizmat për të krijuar besimin te shqiptarët.

 

A jeni gati të merrni këtë përgjegjësi?

Nuk e kam menduar asnjëherë deri në këtë moment. Në politikë nuk thuhet kurrë ‘kurrë’, por nuk është qëllimi dhe synimi im. Reagimi dhe dëshira që unë kam, ajo që më buron mua nga brenda, është të shikoj një PD që i përshtatet sfidave, por edhe performancës së 2021-2030. PD ka nevojë për një ringritje të madhe, që nga forma e organizimit, ku organet vendimmarrëse të jenë të fuqishme, ku të jetë e hapur për eksperienca të rinisë, të qytetarëve, të atyre që kanë pasion politikën.

 

Mendoni se Basha duhet të largohet përfundimisht apo mund të jetë pjesë e një gare të hapur për PD?

Unë jam shumë i qartë në atë që mendoj e them. Projekti politik i z. Basha si kryetar, që ka pasur mbështetjen tonë, rezultoi i pamjaftueshëm, i paaftë, i pamundur për të rrëzuar modelin e Ramës. Rama do të qëndrojë 14 vite atje, nëse ne vazhdojmë me të njëjtin standard, me të njëjtin model. Z. Basha duhet t’i hapë rrugë një projekti të ri politik, që natyrisht nuk e përjashton z. Basha që të zhduket nga skena politike, ai është përpjekur. Por përpjekjet e tij janë të pamjaftueshme dhe të pamundura.

 

Po qëndrimin e z. Berisha si e vlerësoni?

Është një qëndrim konstant, i pandryshuar që nga 2013. Ai është tërhequr nga të gjitha proceset vendimmarrëse, qëndron në PD dhe është njeriu më me influencë brenda PD, është njeriu që ka nevojë çdokush në PD t’i marrë këshilla. Ai ka mbajtur të njëjtat qëndrime dhe qëndrimet e mia janë po ato që thotë z. Berisha thuajse çdo ditë.

 

Rama po i shtrin dorën opozitës dhe z. Basha, si e kuptoni ju këtë?

E kam parë në dy anë të medaljes, së pari ka pasur doza diversioni të z. Rama. Në këtë fushatë, z. Basha ka qenë i qartë në demontimin e diversionit të z. Rama. Natyrisht që Edi Rama nuk ka asnjë moral, asnjë etikë, asnjë kod dhe asnjë mundësi që të bëjë pjesë të modelit të tij të inkriminuar edhe parimet e PD. Rama mund të dojë shumë që të marrë në kasafortën e selisë së tij edhe vulën e PD, por kjo do të ishte një fatalitet, që nuk e di si mund të reagojë nga ana e kryesisë së PD.