zoom

Lajme

Nis seanca në Kuvend. Dogjani bën një “Dash Sula”, shkon nga “mali” me çadër plazhi në Parlament

Ka nisur seanca e sotme parlamentare në Kuvend, ku si pikë e parë e rëndit të ditës është interpelanca me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, kërkuar nga deputeti socialist Nasip Naço.

Por detaji pikant që ra në sy ishte, prezenca e deputetit demokrat Asllan Dogjani, i cili ka bërë një shfaqje me gjetje të tipit Dash Sula, teksa u pa të shkonte me një çadër të madhe plazhi në Parlament. Ky gjest në shenjë ironie për deklaratën e ish-ministres Olta Xhaçka, për “të ardhurit nga mali që ngulin çadrën në plazh”.

Dhe me këtë akt, Dogjani duket se ka lënë të kuptohet se po zbriste nga mali, për të ngulur çadrën në Parlament, ku e pranishme është edhe deputetja socialiste Xhaçka, e cila e shpëtoi humbjen e mandatit pas votimit të kolegëve të saj socialistë në shumicë.

Pavarësisht tentativave për të hyrë në sallë me çadër, deputeti nuk është lejuar nga punonjësit e sigurisë. Ai tha për mediat se donte që çadrën ta vendoste te vendi i Xhaçkës. “Të gjithë jemi njëlloj, jemi shqiptar në Kosovë e Shqipëri. Për të justifikuar vjedhjen e pronave është e dënueshme. Kam marrë këtë çadër në mënyrë simbolike që të sensibilizohet opinion që gjuhë e tillë të mos përdoret më. Kërkoj nga Nikolla dhe komisioneri për diskriminimin që paguehen nga taksat që të marrin masa ndaj kësaj gjuhe të përdorur nga deputetët. Doja të hyja me këtë çadër në Parlament për ta vendosur aty ku ulet Xhaçka”, tha ai.

Kuvendi gjithashtu do të diskutojë sot projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, “Për prefektin e qarkut”. Gjithashtu sot do të diskutohet edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.59/2014,“Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Në rend dite është caktuar që Kuvendi të diskutojë edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.82/2021, “Për përkthimin zyrtar dhe profesionin e përkthyesit zyrtar”.

Në rendin e ditës të seancës së sotme është edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë”. /ZOOM.AL/