zoom

Bota

Ngrohja globale/ Ishulli historik drejt zhdukjes në Paqësor, Australia evakuon popullsinë!

Rritja e nivelit të detit dhe oqeaneve po bën që Tuvalu, një arkipelag në Paqësor, të zhduket. Kjo është arsyeja pse qytetarët e saj do të duhet të jetojnë në Australi, falë një marrëveshjeje të re të paraqitur këtë të premte.

Kryeministri i Tuvalut, Kausea Natano dhe homologu i tij australian Anthony Albanese, kanë nënshkruar një traktat për të siguruar një strehë klimatike në kontinent për 11,000 banorët e Tuvalut nëse humbasin shtëpitë e tyre.

“Ne besojmë se njerëzit e Tuvalut meritojnë të jenë në gjendje të jetojnë, studiojnë dhe punojnë diku tjetër, pasi ndikimi i ndryshimeve klimatike përkeqësohet”, thanë të dy udhëheqësit në një deklaratë të përbashkët.

Tuvalu është aktualisht një nga vendet më të cenueshme në botë, për shkak të pasojave të ndryshimeve klimatike. Popullsia e tij është e ndarë në nëntë ishuj më të vegjël brenda arkipelagut (kreoleve), që ngrihen më pak se pesë metra mbi nivelin e detit dhe rritja e nivelit të oqeanit ka bërë që dy prej tyre të zhduken.

Natano tha se marrëveshja, e cila tani duhet të ratifikohet nga të dyja palët, është “një mesazh shprese” për vendin e tij. Një marrëveshje për klimën

“Është marrëveshja e parë specifike për lëvizshmërinë e lidhur me klimën”, tha Jane McAdam, një specialiste në ligjin e refugjatëve dhe profesore në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor, në Australi. Në përmbajtjen e marrëveshjes, Australia angazhohet gjithashtu të disbursojë 16 milionë dollarë australianë (10 milionë dollarë) për të mbrojtur territorin e arkipelagut të vogël.

Si dhe për të bashkëpunuar me vende të tjera që gjenden në një situatë të ngjashme të krijuar nga efektet e ndryshimeve klimatike.

“Marrëveshja midis Australisë dhe Tuvalut do të shihet si një ditë e rëndësishme, me Australinë që pranon se ne jemi pjesë e familjes së Paqësorit”, tha Albanese. Varësia ekonomike e Australisë nga eksportet e gazit dhe qymyrit, dy aktivitete ndotëse që kontribuojnë në ndryshimin e klimës, ka qenë një pikë fërkimi me fqinjët e saj në Paqësor. /ZOOM.AL/