zoom

Aktualitet

Nga Venezuela në Tiranë për prostitucion homoseksual. Pranga tutorit 29-vjeçar dhe 2 “punëtorëve”

Një fole prostitucioni homoseksualësh u godit sot në kryeqytet nga Policia, teksa si drejtues u arrestua edhe një shtetas nga Venezuela dhe dy shoqëruesit e tij bashkëatdhetarë që i shfrytëzonte me pagesa 150-300 euro.

Burime zyrtare konfirmuan se u finalizua operacioni i koduar “ET-1”, për goditjen e një rrjeti prostitucioni. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3.

“Si rezultat i aksionit u bë arrestimi i shtetasve G. J., 29 vjeç, dhe D. C., 31 vjeç, dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. S., 19 vjeç, të tre banues provizorë në Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi G. J. shfrytëzonte për prostitucion, dy shtetasit e tjerë, të cilët kishin ardhur nga vende të ndryshme, në Shqipëri, ishin akomoduar në një banesë me qira, në rrugën “Kongresi i Tiranës”, dhe nëpërmjet një faqeje në internet, krijonin kontakte me njerëz të ndryshëm, për të ushtruar prostitucionin, kundrejt pagesave 150-300 euro”, tha policia.

Dyshohet se klientela ishte e zgjedhur, teksa ushtrohej prostitucioni homoseksual, diçka jo shumë e zakonshme në Shqipëri. Policia tha se po vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë. /ZOOM.AL/