zoom

Lajme

Nga kusitë dhe tenxheret, te “kryetarja jam unë” dhe “skifterët”. Detajet e sherrit në Komision

Drejtimi i komisionit hetimor për PPP e Sterilizimit dhe Check-Up-it nga dy bashkëkryetarë është bërë objekt debati sot mes Albana Vokshit dhe deputetit të PS-së, Plarent Ndreca.

Ky i fundit kërkoi që të kishte dhe një bashkëkryetar për këtë komision, ndërkohë që Vokshi ia kthehu duke shtuar se; kryetarja jam unë!

“Për sa kohë sa jam unë do e drejtoj unë këtë komision. Ka një kryetar. Nuk kemi dy bashkëkryetarë, përndryshe do të ishin dy. Do të ishit dhe ju këtu për të drejtuar. Drejtohet nga kryetari. Kur unë mos të jem, do të jeni ju zoti Ndreca. Po bëni zhurmuesin…”, tha ajo ndër të tjera.

Kurse deputeti i PS-së, Petro Koçi nga komisioni hetimor parlamentar për çështjet e shëndetësisë, ka bërë apel për vetëpërmbajtje në këtë mbledhje, ndërsa i kujtoi pozicionin e saj Albana Vokshit.

Ai tha se komisionet në të shkuarën kanë qenë një njollë e zezë për parlamentarizmin.

“Është një nga komisionet hetimore me arsye të qëndrueshme. Fillimi i punimeve të këtij komisioni, nuk është i mbarë. Është përsëritje e një historie. Komisionet janë njollë e zezë e parlamentarizmit dhe këtu janë thirrur skifterët e palëve. Këtu duhet të gjykohet urtësia e gjykimit. Ndaj roli i moderatorit është i rëndësishëm. Në rastin që Kuvendi ju ka zgjedhur juve si kryetare, duhet të ishte diçka e mbarë. Ndaj mos të kemi të njëjtën histori.

Kacafytje në gjithë procesin dhe procedurat e këtij komisioni. Etika dhe rregullsia në këtë komision, varet nga ai që drejton. Do ju ftoja që të ishit në përputhje me mandatin e këtij komisioni. Duhet të kërkojmë të vërtetën për çështje të rëndësishme. Paracaktimi sjell zhvillime të mbrapshta”, tha ai.

Ndërsa deputeti demokrat Saimir Korreshi ka deklaruar se anëtarët e mazhorancës po sillen si opozita me aksionin opozitar.

“Keni marrë pak eksperiencë nga aksionet tona. Na mallëngjyet. Po flasim për 200 mln euro. Për 1200 euro keni lënë mamografinë e Lushnjës. Ose do e kthejmë nga e para këtë punë, ose të marrin tenxhere e kusi e të nisim t’i biem”, u shpreh ai me ironi. /ZOOM.AL/