zoom

Slider

Nga Belgjika në Britani/ Po transportonin 69 migrantë shqiptarë, arrestohen 3 kontrabandistë

Hetuesit policorë në Britaninë e Madhe kanë arrestuar tre kontrabandistë, pas një përpjekjeje për të kontrabanduar 69 migrantë shqiptarë nga Belgjika në Mbretërinë e Bashkuar me një anije peshkimi.

Të arrestuarit, një shtetas lituanez 34-vjeçar që jeton në Lambeth, një shtetas izraelit 32-vjeçar që jeton në Finchley dhe një shtetas letonez 39-vjeçar që jeton në Kent u arrestuan nga oficerët e policisë në një seri bastisjesh në mëngjes, shkruan Daily Mail.

Pamjet tregojnë se oficerët po trokasin në një derë përpara se një burrë me të brendshme t’i lejojë të hyjnë brenda. Zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Krimit më pas arrestojnë burrin dhe e marrin me vete. Burrat tani po merren në pyetje nën dyshimin e përpjekjes për të lehtësuar imigracionin e paligjshëm.

Arrestimet pasojnë përgjimin e anijes së peshkimit Svanic pranë brigjeve të Anglisë Lindore në 17 nëntor të vitit të kaluar, si pjesë e një operacioni të përbashkët që përfshin NCA, Zbatimin e Imigracionit dhe Forcën Kufitare. Anija kishte lundruar nga zona Ostend e Belgjikës dhe mbante 69 pasagjerë shqiptarë, të cilët zbarkuan në Haruich për t’u trajtuar nga autoritetet e imigracionit.

Të tre anëtarët e ekuipazhit, një shtetas letonez dhe dy shtetas ukrainas, u arrestuan nën dyshimin për lehtësimin e imigracionit të paligjshëm dhe u akuzuan më pas. Shefi rajonal i hetimeve i NCA Jacque Beer tha: ‘Ata që janë arrestuar sot dyshohet se kanë luajtur një rol kryesor në ngjarjet që çuan në përgjimin e Svanic në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo ishte një përpjekje serioze për të thyer kontrollet kufitare të MB dhe hetimi ynë për këtë incident vazhdon. “Por aktiviteti i sotëm tregon edhe një herë vendosmërinë tonë për të përçarë dhe çmontuar rrjetet e kontrabandës së njerëzve kudo që ata operojnë. Është një përparësi kryesore për NCA.