zoom

Aktualitet

Neokomunistët, rreziku që i kanoset protestës për çmimet

“Neokomunistët në radhët e protestuesve janë lajm i keq për këtë protestë që ka ngjallur edhe njëherë shpresat e shqiptarëve se zëri i tyre mund të dëgjohet edhe nga qeveria më e shurdhërt që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.”

Zyra e shtypit e Partisë Demokratike shpërndau një foto të ditës së 5-të të protestës kundër rritjes së çmimeve. Në pamje të parë dukej si foto e festimeve të ditës së verës. Përshtypja ishte e tillë, duke qenë se Partia Demokratike nuk ka asnjë lidhje me këtë protestë. Megjithatë, ajo e ka një meritë, pasi mospërfshirja e saj e ka mbajtur të gjallë revoltën qytetare kundër çmimeve të papërballueshme.

Foto e shperndare nga PD

Sali Berisha e përmendi protestën disa herë prej të enjtes në parlament. Edhe ai deshi ta njehsojë revoltën e tij dhe të grupimit të vet me atë të qytetarëve. Ato në të vërtetë nuk kanë edhe aq lidhje, ose së paku nisen nga premisa të ndryshme. 

Ilir Metës, po ashtu, populli i dalë në shesh i duket si populli që mblodhi më 2 mars. Ata nuk kanë lidhje. Mund të ketë persona që kanë marrë pjesë në dy tubimet, të nisur nga e njëjta arsye, por sot ata nuk janë aty për presidentin. 

Edi Rama ka tentuar pikërisht ta politizojë protestën dhe ka akuzuar tërthorazi Berishën e Metën, si “nongrata të shpallur e të pashpallur” që qëndrojnë pas saj. 

Megjithatë, deri tani asnjë nga partitë kryesore politike të opozitës nuk ka guxuan të zbresë në shesh, sa nga vetëdija që ata protestues aty nuk u besojnë, aq edhe nga frika se do të çojnë ujin në burimin e Edi Ramës, që mezi po pret. 

Të gjithë janë jashtë saj, përveç një subjekti. Ajo është Organizata Politike, pas të cilës qëndron si gjithnjë një emër i vetëm: Arlind Qorri. Aktivistët të këtij grupimi me prirje komuniste janë infiltruar në protestë dhe pak nga pak po marrin podiumin. 

Qëllimi mund të jetë shfrytëzimi i një tjetër mundësie për t’u faktorizuar. Por historia e shkurtër e kësaj organizate ka treguar se, kudo ku ajo ka futur hundët, protestat janë shuar. 

Kështu ndodhi në protestën e Studentëve në dhjetor të 2018-ës. Sapo brenda saj u infiltruan neokomunistët, protestës iu deformua qëllimi. Studentët e kuptuan dhe i përzunë nga protesta, por qe vonë. Dëmi ishte bërë dhe besueshmëria se ajo ishte një protestë e pastër, pa ndikime politike, kishte rënë. Dikush e akuzoi noekomunistin Qorri se ishte vegël e kryeministrit Edi Rama. 

Studentet kunder Arlind Qorrit ne proteste

Kështu ndodhi edhe në protestën e naftëtarëve, të cilët erdhën në këmbë nga Ballshi në Tiranë. Organizata e tij nisi të bënte kërkesa të tjera që nuk kishin pikën e lidhjes me nevojat e naftëtarëve.

Tani, pseudo-marksistët e Qorrit janë infiltruar edhe në protestën e qyetarëve kundër rritjes së çmimeve. Cili është qëllimi? Një media online (Panorama) publikoi një ditë më parë një video, shoqëruar me komentin se  Arlind Qorri po përçante protestuesit (shih videon më poshtë në faqen e Zoom.al). Ai po i tërhiqte nga kryeministria dhe po i ndante në grupe, pa ndonjë plan që i shërbente protestës. Ai nuk është as organizator dhe as ideator i protestës. 

Infiltrimi i neokomunistëve në radhët e protestuesve është lajm i keq për këtë protestë që ka ngjallur edhe njëherë shpresat e shqiptarëve se zëri i tyre mund të dëgjohet edhe nga qeveria më e shurdhërt që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. 

Kjo jo vetëm për faktin se për neokomunistët e qorrit janë hedhur dyshime se janë të blerë nga pushteti, por sepse ata nuk janë as për ekonominë e tregut. Shqiptarët i kanë vuajtur mbi kurriz për vite me radhë të këqijat e komunizmit, por komunistët e korruptuar janë edhe më të rrezikshëm se ata që e mbajtën vendin nën terror për afro 5 dekada. 

Siç thoshte Mao Zedogn, “komunizmi s’është dashuri, por çekiç që ne e përdorim për të shkatërruar armikun”. Dhe armiku i neokomunistëve janë të gjithë njerëzit e lirë që po ngrenë zërin në protestë kundër një padrejtësie që po u bën qeveria e tyre. Sot ata nuk e kanë në dorë çekiçin e pushtetit, por ca shkopinj ndër rrota edhe mund t’ia vënë protestës, për t’i dhënë fund edhe asaj si të tjerave. Edhe kësaj here, jo për zemrën që kanë lënë te Marksi, por për xhepin që kanë varur të pantallonat e Edit. /Zoom.al