zoom

Aktualitet

Ndërtuesi i preferuar i qeverisë, Fusha do të ndërtojë instalacionin tek kryeministria për 3.6mln €

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka nënshkruar përfundimisht kontratën për ndërtimin e “parkut Eden” brenda kryeministrisë, me kompaninë “Fusha”.

Në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik u bë njoftimi se kontrata është lidhur dhe kompania do ta ndërtojë këtë objekt me një fond 398 milionë lekë, apo rreth 3.6 milionë euro, sipas ofertës që bëri gjatë garës së zhvilluar.

Instalacioni i Kryeministrisë mori vëmendje të gjerë, sidomos vitin e shkuar, kur në fund të gushtit Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli procedurën me objekt instalacion me strukturë druri në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë, “Parku Eden”. Atëherë ishte periudha kur qeveria po ankohej për situatën energjetike në vend dhe se si do të paguante faturat e importit.

Kështu, procedura u pezullua dhe pa shumë zhurmë u hap dhe u mbyll përsëri tani.

Kompania Fusha është një ndër të preferuarat e qeverisë. Fusha është pronësi të Shkëlqim Fushës. Pak vite më parë qeveria miratoi një ligj të posaçëm në favor të saj për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar, në këmbim të një kulle që do të ngrihej mbi të dhe një tjetër blloku kullash në hapësirën nga teatri deri te godina e Infosoft.  Që nga viti 2016, qeveria i ka dhënë Fushës 6 mld lekë tendera, të përqëndruara në Tiranë.

Projekti i instilacionit

Referuar dokumenteve të procedurës projekti që propozohet të aplikohet gjendet në oborrin e brendshëm të kryeministrisë, pranë “Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

“Përshkrim i përgjithshëm i projektit: Hartimi i projektit është detajuar mbi bazën e konceptit, të formuluar nga studioja ndërkombëtare e projektimit ‘Studio Precht’, me zyrat qëndrore në Austri. Koncepti i ‘Edenit’ është përgjigje e situatës që krijohet në oborr.

Në vend që të vendoset një kopësht në tokë, krijohet një kopësht 3-dimensional që siguron funksione rekreacioni, gjallërie dhe kohe të lirë në nivele të ndryshme.

Eden është një zgjidhje e qëndrueshme dhe e gjallë për një oborr që krijon vend, një strukturë e hapur dhe e depërtueshme për kohë të lirë private dhe evente publike, një spektakël i bërë nga njëriu, dhe një përkujtuese ndaj natyrës së humbur prej kohësh në mjediset tona të ndërtuara.

Dizajni i ndjekur në hapësirën e depërtueshme të Edenit lejon zhvillimin e programeve dhe eventeve publike të ndryshme. Shkallët përfshijnë elementë ulës që janë të lëvizshëm sipas kërkesës, fleksibël dhe të vendosur siç duhet në raste të ndryshme.

Tribuna, një rampë me ulëse, ofron një platformë për evente gjatë ditës (konferenca zyrtare) dhe në mbrëmje (leksione, koncerte, fjalime), ndërkohë që bimët në strukturë mbështjellin audiencën me një kuvertë natyrale dhe do të ofrojë një sfond të bukur për eventet.

Ndërkohë qe kalimet e propozuara dhe ndenjëset e vogla lejojnë publikun të pushojë, të mbushet me frymë dhe të krijojnë takime në vende të ndryshme të Edenit.

Edeni qëndron në një rrjetë 4800x4800x4800mm. Trarët prej druri të ndërthurur kryq përbëjnë një kornizë modulare kubike 6x3x4, që shërben si strukturë.  Konstruksioni i drurit të parafabrikuar do të garantojë zbatim të saktë, bashkim të shpejtë në vendndodhje dhe emëton vlera të ulëta të karbonit në krahasim me materialet konstruktive tradicionale, siç janë betoni dhe çeliku” thuhet në dokument.