zoom

Të gjitha

Mungoi në inagurimin e TKOB-së, Inva Mula thyen heshtjen: Ka diçka që nuk e fal dot

Në një intervistë ekskluzive me Mira Kazhanin, për Tirana Post, Inva Mula vendosi të flasë publikisht për situatën që qarkullon në rrjet. Pyetjes së shumë njerëzve: Ku ishte Inva Mula? Pse nuk ishte në mbrëmjen gala të TKOB-së?, ajo u përgjigj kështu:

“[…] Meqë pyetja ishte e drejpërdrejtë, përse nuk mora pjesë, ishte për arsye se artistët mbi të gjitha kanë një sensibilitet, i cili kalon edhe kufijtë e kurajos për të marrë pjesë, nëse edhe ftesa nuk ishte bërë ashtu siç duhet. Për gjëra të rëndësishme nuk duhet të heshtim asnjëherë. Unë në përgjithësi, komentet që bëhen në rrjetet sociale i anashkaloj, janë shumë gjëra që ose nxirren nga konteksti, ose nuk janë të vërteta, jam mësuar ti anashkaloj me heshtje se them, heshtja është përgjigjja më e mirë. Por jeta na ka mësuar, dhe mua personalisht, që për gjëra të rëndësishme, nuk duhet të heshtim”, shprehet ajo.

Znj. Mula më pas shton se “nuk ka marrë pjesë pasi nuk është ftuar që nga viti 2019.” Mesazhe të publikuara gjatë asaj kohe tregojnë se Inva Mula është ftuar edhe për të performuar, por ato gala nuk u realizuan kurrë.

“Këto ftesa kanë qenë për gala të cilat ranë, asnjëra nga këto gala nuk u bë dhe për datën 15 shtator të cilën të gjithë tashmë e dinë që u bë një gala e vërtetë, për këtë datë Inva nuk ka ftesë. Më vjen keq që kanë dalë, se po bëhet si gjyq. Jam ftuar në publik po. Më ka ardhur ftesë nga sekretarja e drejtorisë, për të qenë në publik.”

Sopranoja e njohur shton:

“Më ftuan si spektatore. Edhe nga Ministria e Kulturës, si spektatore, por nuk kam pranuar. Nuk mund të jem spektatore. Inva nuk mund të jetë spektatore. Unë mund të isha edhe 99 vjeç, prapë nuk do isha spektatore në një ngjarje të tillë. Se nuk ishte vetëm hapja e rinovimit të teatrit, por përkonte me një përvjetor të teatrit. Ky teatër ka një histori. Ky teatër ka një memorie e cila rëndon mbi supet e shumë artistëve. Po një peshë, një gur i rëndësishëm në këtë memorie është familja Mula aty brenda. Nuk bëhet fjalë për Invën. Bëhet fjalë për Nina dhe Avni Mulën. Nuk e di, por paskam bërë shumë mirë që s`kam qenë dhe si spektatore, pasi aty nuk është folur për prindërit e mi.”
Inva Mula më pas rikujton se nuk ka dalë asnjë imazh i premierës së “Invës 22-vjeçare me Traviatën”, që “ka thyer të gjitha rekordet”, teksa thekson se “deri atëherë s’kishte ndodhur më parë diçka e tillë. Kur përmend këtë, sopranoja shton edhe se “ndoshta historia po shkruhet nga njerëz të cilët ose nuk e njohin, ose janë dashakeqës”.

Mula thekson se është e surprizuar nga numri i shumtë i njerëzve të njohur e të panjohur që e kanë mbështetur dhe që kanë kërkuar që asaj t’i kërkohej falje publike. Ajo thotë se “nuk ka zemërim ndaj askujt”, por “ka një detyrim për të thënë të vërtetën, tani që gjërat u bënë publike dhe dolën edhe mesazhe”. Sidoqoftë, ka diçka që ajo nuk e fal:

“Atë mospjesëmarrjen time si protagoniste në skenë do t’ua fal të gjithëve. S`ka gjë se unë kam akoma vite për ta rikuperuar, por që mos të flitet për Nina dhe Avni Mulën, këtë nuk e fal dot. Nuk e fal dot. Nuk është çështje falje, por e them me plot gojën që kjo më ka trishtuar shumë.”
Pyetur nga Mira Kazhani, nëse ajo ka ndonjë “ide, pse të ketë ndodhur diçka e tillë”, Inva përgjigjet:

“Jo, absolutisht. Shpresoj të ketë qenë një harresë dhe jo një hakmarrje ndaj një zemërimi që dikush mund të ketë patur kundrejt meje dhe e ka shfryrë këtu. Do të ishte diçka shumë e dobët, shumë e keqe dhe e vogël, përpara kontributit të prindërve të mi për këtë teatër.”
Inva vazhdon duke thënë se “nuk do të bëjë aludime se kush mund të ketë hatërmbetje apo keqkuptime me të” sepse “nuk bëhet fjalë vetëm për të”, por për shumë artistë të tjerë si Edit Mihali, Zana Turku, Marjana Leka, Lili Cingu etj.

Lidhur me zhvillimin e artit dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Inva thotë se “nuk është as optimiste, as pesimiste dhe as neutrale”, duke shtuar:

“Do doja që teatri të udhëhiqej nga njerëz profesionistë [aktualisht, drejtoresha e përgjithshme e TKOB është Zana Çela]. Vetëm ashtu bëhet. Nga njerëz që e kanë mbajtur mbi shpinë edhe karrierën, edhe suksesin. […] Teatri duhet të mbahet nga profesionistë.”