zoom

Politikë

Mori mandatin e deputetit në Durrës, reagon Rama: Nga Vlora nuk ndahem as sot as mot

Kryeministri Edi Rama vendosi të ‘braktiste’ Vlorën pas 8 viteve, duke zgjedhur të jetë deputet në qarkun e Durrësit.

Më herët ai është shprehur se do të ishte deputet në qarkun që do tqa donin më shumë, ku realisht më shumë vota mori në qarkun e Durrësit.

 “S’kam ardhur në Durrës për të marrë vota, por për të bërë historinë me ju! Do qëndroj deputet atje ku do më duan më shumë. Pastaj varet ku do rri te njerëzit e nonës apo te njerëzit e babës!”, tha Rama.

Kreu i qeverisë në zgjedhjet e 25 prillit mori 15871 vota në qarkun e Durrësit dhe 11412 vota në qarkun e Vlorës.

Ai u rendit i 8-i në lista, duke mos preferuar që të ishte në radhët e para me qëllim që t’i linte radhën emrave të tjerë të Partisë Socialiste.

Kreu i PS-së ka reaguar pas marrjes së vendimit duke theksuar se Vlora është në zemrën e tij dhe nuk do të ndahet kurrë, por zgjodhi Durrësin pasi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për qytetin bregdetar po për gjithë Shqipërinë 2030.

”Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt Shqipërinë 2030”, shkruan Rama në Twitter.

Pasi Rama zgjodhi Durrësin, automatikisht mandatin e tij në Vlorë e merr kandidatja Teuta Ramaj, e cila ka grumbulluar 1738 vota.

Para zgjedhjeve të 25 prillit Rama zgjodhi të konkurronte në Durrës, pasi sipas tij ishte qarku më i dëmtuar nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe në këtë vend duhej të krijohej një mbështetje absolute për të gjithë qytetarët.

Kujtojmë se Partia Socialiste u shpall fituese për të tretën herë në vendin tonë, duke siguruar 74 mandate në Kuvend.

Gjatë ditës së sotme pati një zhvillim tjetër politik, ku kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zgjodhi të mbajë mandatin në qarkun Fier, duke i hapur rrugën Petrit Vasilit që të marrë mandatin e deputetit në qarkun e Tiranës, ndërsa ‘i mbylli dyert’ Kejdi Mehmetajt, e cila ishte renditur e dyta në listën e Fierit.