zoom

Bota

Moment i rëndësishëm i pandemisë: Studimi në botën reale për vaksinën e Pfizer-it

Studimi i parë i madh në botën reale për vaksinën Pfizer / BioNTech, që do të rishikohet nga ekspertët në mënyrë të pavarur, tregon se vaksina është shumë efektive në parandalimin e Covid-19, një moment ky i rëndësishëm që ka potencial t’u japë fund bllokimeve dhe të rihapë ekonomitë.

Deri më tani, shumica e të dhënave për vaksinat e koronavirusit kanë ardhur nën kushte të kontrolluara në prova klinike, duke lënë një element pasigurie se si rezultatet do të përktheheshin në botën reale. Hulumtimi në Izrael – dy muaj në një nga shpërndarjet më të shpejta në botë, duke siguruar një burim të pasur të të dhënave – tregoi se dy doza të vaksinës ishin efektive 94% për rastet simptomatike te të gjitha grupmoshat.

Studimi i rreth 1.2 milion njerëzve gjithashtu tregoi se një dozë e vetme ishte 57% efektive në mbrojtjen kundër infeksioneve simptomatike pas dy javësh, sipas të dhënave të botuara dhe të vlerësuara nga kolegët në New England Journal of Medicine, një ndër revistat më prestigjioze mjekësore.

Rezultatet e studimit për Institutin e Kërkimit Clalit ishin të ngjashme me provat klinike vitin e kaluar të cilat zbuluan se dy doza të vaksinës ishin 95% të efektshme.

“Ne u befasuam sepse prisnim që në mjedisin e botës reale, ku zinxhiri i ftohjes nuk mbahet në mënyrë të përsosur dhe popullata është më e moshuar dhe më e sëmurë, të mos merrnim rezultate aq të mira sa keni marrë në provat klinike të kontrolluara”, tha udhëheqësi i studimit Ran Balicer për Reuters. “Por vaksina funksionoi gjithashtu në botën reale. Ne kemi treguar që vaksina do të jetë po aq efektive në nën-grupe shumë të ndryshme, tek të rinjtë dhe tek të moshuarit, tek ata që nuk kanë sëmundje bashkëshoqëruese dhe tek ata me sëmundje të tjera,” shtoi ai.

Studimi sugjeron gjithashtu që vaksina, e zhvilluar nga kompania amerikane e prodhimit të ilaçeve Pfizer dhe dhe kompania gjermane e bioteknologjisë BioNTech, është efektive kundër variantit të koronavirusit të identifikuar për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar. Studiuesit thanë se ata nuk mund të siguronin një nivel specifik të efektivitetit, por varianti i Mbretërisë së Bashkuar ishte versioni mbizotërues i virusit në Izrael në kohën e studimit.

Nga nëntë milionë njerëz në Izrael, një komb me kujdes shëndetësor universal (mbulimi shëndetësor universal do të thotë që të gjithë njerëzit të kenë akses në shërbimet shëndetësore që u duhen, kur dhe ku kanë nevojë për to, pa vështirësi financiare) gati gjysma kanë marrë dozën e parë dhe një e treta kanë marrë të dyja dozat që kur filloi shpërndarja më 19 dhjetor.

Kjo e bëri Izraelin një vend kryesor për një studim në botën reale mbi aftësinë e vaksinës për të ndaluar pandeminë.