zoom

Stil

Mirela Cerica, historia e stilistes shqiptare me famë ndërkombëtare

Stambolli, vendi që përmbush dëshirat e gjithkujt, qyteti që hap portat drejt bukurisë së çmuar, historisë, kulturës dhe dashurisë mes dy kontinenteve, do të mbetet gjithmonë i magjishëm dhe intrigues për të zbuluar më shumë rreth tij. Një vizitë në këtë qytet nuk mjafton që të zbuloni të gjitha sekretet e Bosforit, e megjithatë atmosfera e tij mes antikitetit dhe modernes, i lë vendin një rikthimi të domosdoshëm për të zbuluar më shumë.

Edhe për stilisten shqiptare me famë botërore, Mirela Cericën, ka ndodhur e njëjta gjë. Ajo u gjend në kryeqytetin e Turqisë në moshën 10-vjeçare së bashku me familjen e saj, e që nga ai moment, Stambolli dhe Mirela kanë një lidhje të veçantë, të ngushtë e që ushqehet dita-ditës nga dashuria dhe magjia e tij.

“U dashurova që në fillim me Stambollin. Më pëlqeu aroma, ngjyrat, njerëzit dhe Bosfori. Që nga ajo ditë, dashuria ime për Stambollin vetëm shtohet”.

E sikundër mund të hamendësohet, edhe atelieja e saj ka një vendndodhje strategjike, me pamje nga ura e Bosforit. Takimi me të ishte një gëzim i veçantë edhe për mua. Kishim kontaktuar me njëra-tjetrën, madje intervistën mund ta zhvillonim edhe online, por është ndryshe kur një personazh e takon dhe ndan me të më shumë sesa një ekran kompjuteri.

Ishte një pasdite e këndshme dhe takimi do të bëhej në sallonin e saj më të ri. Vura re se ajo po më priste sapo zbrita nga taksia, pasi atelieja e saj ishte e tëra me xhama në katin e dytë të një ndërtese të vjetër, por plot shije. Që poshtë te shkallët pikasa se do të hyja në një ambient ku mbizotëronin ngjyrat e forta, e mbi të gjitha kujtimet pa fund. Mirela më priste jo vetëm për të zhvilluar intervistën së bashku, por edhe të bisedonim pak shqip me njëra–tjetrën. Kishte veshur një kostum të bardhë elegant dhe në kokë mbante një kapelë ngjyrë portokalli (Nga biseda së bashku mësova, që ishte e fiksuar mbas kapeleve). Më ftoi të hyja brenda me buzëqeshjen që e karakterizon dhe të njihja botën e saj.

Brenda Mirelës zbulova atë vajzën e vogël beratase, që u gjend në Stamboll për shkak të rrethanave familjare, për të cilën ajo mund të rrëfejë me orë të tëra.

“Sapo pashë Bosforin, rashë në dashuri me shikim të parë me të. Diçka brenda meje më thoshte se ishte e shkruar që e ardhmja ime do të ishte në këtë vend”.

Ka dëshirë të rrëfejë pa fund se ka një familje të fortë, e cila ka qenë shtylla kryesore e jetës së saj. Sot, ajo është nëna e një vajze tre vjeçare Siena Rose (Siena – vendi i preferuar i të atit dhe Rose – trëndafilat, lulja e parapëlqyer e bashkëshortit). Ajo e shoqëron ngado, madje edhe në aktivitet e modës apo konsultat që ka me shumë rrjete dyqanesh ndërkombëtare.

Mirela vjen nga një familje me baza të forta, me dy prindër inxhinierë. I përket brezit të fundit të komunizmit në Shqipëri. Kur prindërit e saj vendosën të jetonin në Stamboll, ata nuk i treguan të vërtetën, por i thanë se do të bënin thjesht një udhëtim për t’u argëtuar. Në të njëjtën kohë, ajo ishte vajza e madhe e familjes dhe ndihej përgjegjëse porsi një “mami” për dy fëmijët e tjerë. Fëmijëria e saj është e mbushur me kujtime dhe detaje pafund. Një nga kujtimet më të hidhura për të ka qenë humbja e babait, momenti kur bëri edhe kthesën më të fuqishme në jetë, kur iu përkushtua edhe pasionit, stilimit.

Në fillim fliste vetëm anglisht dhe nuk dinte asnjë fjalë turqisht. Pasi kuptoi që turqishtja ishte e nevojshme, iu përkushtua për ta mësuar atë në mënyrë të përsosur. Donte të ndihej si të ishte një vendase, ndaj nisi të mësonte turqishten e vjetër. Paskëtaj, turqishten moderne. Shumica e njerëzve nuk e kuptojnë ende që ajo është e huaj.

Me të mbaruar universitetin e Stambollit me nota të larta për Inxhinieri Kompjuterike dhe Menaxhim, Mirela ishte në kërkim të asaj që gjithmonë kishte ëndërruar: të merrej me stilim. Ndërkohë që gjatë viteve të shkollës kishte nisur të disenjonte, të merrej me copat, kallëpet, detajet, aksesorët e të qepte duke krijuar koleksionet e saj të para.

“Mbaj mend që kam nisur të krijoj veshje që në moshën 3 apo 4 vjeçare. E kam ditur gjithmonë që ky do të ishte profesioni im në të ardhmen”. Me mbarimin e shkollës, fati deshi që ajo të niste punë si menaxhere e që nga ai moment, për të nisi një jete e re e mbushur plot me sfida për të ardhmen.

Pjesën më të madhe të kohës qëndronte jashtë shtetit, si në Hong-Kong, Singapor apo edhe Paris si konsulente e markës për të cilën punonte e shumë të tjerave. Për Mirela Cericën kishte nisur një epokë e re, e cila po e afronte me ëndrrën që kishte pasur që herët në fëmijëri dhe për të cilën kishte dhe mbështetjen e të atit, engjëllin e saj mbrojtës: të krijonte imazhin dhe markën e saj.

Mirela ndoshta bën pjesë tek ata njerëz që i kanë faqet e pasaportës të mbushura plot me vula, pasi është gjithmonë në udhëtim. Atë e gjen mes Parisit, Brukselit dhe Stambollit për shkak të punës dhe çështjeve personale. Udhëtimet ndikojnë shumë në krijimtarinë e saj, ashtu si dhe forca e femrave:

“Nëse veshjet e stiluara nga unë do t’i vishnin femrat, të cilat përpiqen me forcat e tyre për ta bërë botën një vend më të bukur, më të mirë dhe më të drejtë, ato që bëjnë ndryshime shumë të vogla apo edhe të mëdha, ato të cilat përpiqen  dhe harxhojnë kohë për këtë, për mua kaq mjafton. Ato janë frymëzimi im, sido që të quhen, ato janë super femrat e mia”, më thotë Mirela duke më shoqëruar në pjesën e dytë të ateliesë së saj, kur janë dhe koleksionet më të fundit, që ajo i ka quajtur “Date Night”.

Përgjatë këtyre viteve, në një nga udhëtimet e saj të pafundme në Hong-Kong, ajo u njoh me bashkëshortin e saj francez dhe që nga ai moment, jeta e saj është e ndarë mes Parisit, Brukselit dhe Stambollit. Është një histori dashurie aq e bukur, sensuale, që ngjason shumë me ato që shohim nëpër filma.  U deshën vetëm dy ditë që jeta e saj të ndryshonte dhe ajo ndihet e lumtur për këtë. “I pari që shikon dhe miraton veshjet e mia është pikërisht ai. Kemi një lidhje shumë të ngushtë me njëri–tjetrin. Është busulla ime në çdo hap“, –më thotë me sytë që i shkëlqejnë gjatë gjithë kohës duke shtuar se dëshira për të krijuar markën e saj ishte si një fëmijë që e rriste brenda vetes. E kishte përgatitur veten shumë mirë për këtë gjë dhe po priste kohën e duhur për ta shfaqur.

“Që e vogël, kam udhëtuar shumë në disa vende të botës. Kështu u krijua stili im i modës dhe mënyra sesi unë stiloj. Historia e markës së Mirela Cericës erdhi si pasojë e veshjeve që blija në vendet që udhëtoja. Veshjeve u shtoja dhe fustanet, të cilët i qepja për vete. Marka ime iu dedikohet femrave të forta, të lumtura me veten e tyre, të cilat s’njohin kufij dhe që kanë nga një histori për të treguar.”

Ky ishte fundi i takimit tonë, por jo i fundit. Na mbetën shumë detaje të tjera të paprekura, të cilat mund t’i diskutojmë në takimin e radhës në Tiranë. Jam e sigurt se sikurse dashuria për Stambollin, sikurse dhe dashuria për artin e saj, edhe për mua do të ketë një rikthim të dytë në atelienë “ Mirela Cerica”./Living/