zoom

Aktualitet

Miratohet Kodi i ri Rrugor/ Nga kolaudimi te gjobat, të gjitha ndryshimet që duhet të dini

Parlamenti rrëzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta për Kodin Rrugor, duke i hapur rrugë miratimit të ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Brendshme.

Ndryshimet parashikojnë rregulla të reja përsa i përket kolaudimit apo për gjobat.

Kështu, kolaudimi i makinave do  bëhet një herë në 2 vjet dhe jo çdo vit siç ishte deri tani.

Makinat e reja, “me kilometër 0”, nuk do të kryejnë kontroll teknik 3 vitet e para nga data e regjistrimit.

Përjashtim do të bëjnë taksitë, autoambulancat, furgonët, autobusët dhe të gjitha llojet e kamionëve, pasi mjetet e transportit të mallrave do të kryejnë kontrollin teknik 1 herë në vit.

Në Kodin e ri parashikohet ngritja e një qendre informacioni për identifikimin e drejtuesve të mjeteve, të cilëve u kaluar mbi 30 ditë afati i siguracionit.

Kujt i ka skaduar siguracioni do të dalë në sistem dhe për policinë do të jetë e lehtë për t’i kapur. Për mungesën e siguracionit gjoba do të jetë nga 100 deri në 400 dollarë, perveç detyrimit për të bërë siguracionin e ri.

Ata që kapen duke levizur në tejkalim të kufirit minimal dhe maksimal të shpejtësisë, me jo më shumë se 10 km/orë, do gjobiten nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë.

Kush tejkalon kufijtë maksimalë të shpejtësisë për më shumë se 50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe më shumë se 40 km/orë në qendrat e banuara, do ndëshkohet me gjobë nga 100 deri në 200 dollarë, do t’i hiqet patenta nga 3 deri në 6 muaj, si dhe do t’i zbriten pikët në patentë.

Të gjithë ata që rikryejnë shkeljet e mësipërme brenda dy viteve, do t’u pezullohet patenta nga 8 deri në 12 muaj.

Për herë të parë do të ketë ndëshkime të ashpra edhe për parkimin e gabuar. Kush parkon në mënyrë abuzive 3 herë brenda një viti, përveç gjobës, humbet pikë nga leja e drejtimit.

Ata që përdorin celularin  do të gjobiten nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë ose 150 dollarë. Në rast përsëritje 3 herë brenda vitit, do t’u hiqet patenta 3 muaj si dhe pikët.

Ata që do të kapen duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur do të gjobiten me 400 dollarë dhe do të humbasin patentën deri në 2 vjet.

Rregullat e reja synojnë të ulin numrin e shkeljeve në qarkullim, të cilat konsiderohen si rrezik për aksidente fatale. /Zoom.al