zoom

Aktualitet

Miratimi i hartës së re gjyqësore, reagon Dhoma e Avokatisë: Shkelje e të drejtave të njeriut

Përmes një njoftimi, Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë ka reaguar pas miratimit të hartës së re gjyqësore, me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Komiteti Drejtues deklaron se vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.

“Ky vendim,- njofton më tej Dhoma e Avokatisë,- cënon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çeshtjet penale, civile dhe administrative.”

Dhoma e Avokatisë konstaton po ashtu se vendimi është në përputhshmëri dhe në përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.

“Me këtë vendim u injoruan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e Organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore gjate procesit të diskutimit te draftit në shkallë vendi, fakt i cili tregoi qarte formalitetin, paragjykimin dhe abuzivitetit në mosmarrjen në konsideratë të mendimit te grupeve të interesit, përfshi Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë.”

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë i ka bërë thirrje Ministrit të Drejtësisë që të përcjellë në qeveri argumentet e paraqitura në mbrojtje te interesave të personave fizikë dhe atyre juridikë, duke konkluduar mos miratimin e vendimit të mësipërm të paraqitur nga na e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Komiteti Drejtues ka vendosur si hap të parë që të bojkotojë të gjitha proceset gjyqësore me përjashtim të masave të sigurimit, të planifikuara për gjykim, në të gjitha nivelet e gjykatave përfshire edhe proceset e planifikuara në Gjykatën e Lartë nga data 14 deri ne datën 17 qershor.

Për ekzekutimin e vendimit janë ngarkuar organet drejtuese të Dhomës Qendrore dhe dhomave vendore dhe moszbatimi nga ana e avokatëve njoftohet se përbën shkelje të rëndë të kuadrit ligjor mbi profesionin e avokatit, e për rrjedhojë do të procedohen disiplinarisht.

Të shtunën, përgjatë Mbledhjes Plenare u miratua propozimi për riorganizim të gjykatave./Zoom.al