zoom

Sport

Milani lë pas humbjen në derbi, fitore me peshë në “Olimpico”

Milani reagon si skuadër e madhe pas dy humbjeve në Serinë A, me Interin në derbi dhe ndaj Spezias në transfertë. Skuadra kuqezi triumfoi 1-2 në “Olimpico” përballë Romës, duke mos lejuar shkëputjen e mëtejshme të zikaltërve. Një fitore karakteri që e mban “Djallin” në shinat e duhura, madje duke krijuar një shkëputje prej 6 pikësh me Juventusin e vendit të tretë.

Ndeshja nisi me një gol të shënuar nga Ibrahimoviç, pas asistit të Rebicit, por ky finalizim u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje të suedezit.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Milanit, që erdhi nga pika e bardhë e penalltisë, e ekzekutuar saktësisht nga Kessie. Në fakt, verdhekuqtë patën pretendime për faullin e shkaktuar në kufinjtë e zonës, por kryesori, pasi pa pamjet në sistemin VAR, sinjalizoi i bindur nga pika e badhë.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Romën, që mundi të barazonte në të 50-tën me një gol të bukur të shënuar nga Veretout. Vetëm tetë minuta më vonë erdhi kundërpërgjigjja e kuqezinjve, që kthyen epërsinë me Rebicin, i cili, i shërbyer nga Saelemaekers, shmangu me një rrotull mbrojtësin kundërshtar për të mposhtur më pas edhe portierin Lopez.

Skuadra e Piolit e mbrojti me fanatizëm rezultatin, duke i sbrapsur njëri pas tjetrit sulmet e verdhekuqve. Roma me këtë disfatë humbi edhe pozicionin në zonën Champions, që tashmë mbahet nga Atalanta.