zoom

Politikë

Meta sulmon sërish Ramën: Momenti që të gjithë të nisemi drejt…

Presidenti Ilir Meta ka sulmuar sërish kryeministrin Rama. Teksa mori pjesë në homazhet përkujtimore të masakrës së 2 prillit në Shkodër, ku mbetën të vrarë 4 protestues, ai tha se Shqipëria vuan ende nga  mungesa e zgjedhjeve të lira dhe fenomeni i partisë-shtet.

“Sot bëhen 3 dekada që nga ajo ditë e 2 prillit të vitit 1991, ku 4 djem nga më të mirët e Shkodrës dhe Shqipërisë u vranë pabesisht, pikërisht se dolën në mbrojtje të demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe protestës demokratike. Sot jemi këtu për të nderuar kujtimin e tyre, të paharruar, jemi këtu edhe për tu angazhuar për ta çuar deri në fund amanetin e tyre dhe dëshmorëve të tjerë që ranë për demokracinë, zgjedhjet e lira, mendimin e lirë në Shqipëri. Ende Shqipëria vuan nga mungesa e zgjedhjeve të lira, fenomeni i partisë-shtet dhe kapja e shtetit. Ndaj është momenti që të gjithë të nisemi drejt 25 prillit, kësaj dite vendimtare për të vendosur vendin në shinat e kushtetutës dhe demokracisë. Unë jam i bindur se Shkodra do të jetë në krye të këtij marshimi sepse ka qenë zemra edhe në kohët më të errëta të vendit. Sot jam i bindur, akoma edhe më shumë. Ne nderojmë jo vetëm sakrificat e martirëve të 2 prillit, por gjithë atyre që në emër të fjalës së lirë u martirizuan”, tha Meta. /Zoom.al