zoom

Aktualitet

Meta: Mos blini apartamente në projektin e Portit të Durrësit, skemë piramidale

Brenda një muaji pritet që të fillojë shitja e apartamenteve që do të ndërtohen në kuadër të Projekti Durrës Yacht & Marina, për të cilin është deklaruar se do të ketë një vlerë totale investimi prej 2 miliardë euro.

Punonjës të kompanisë zhvilluese po kontaktojnë me klientët potencialë dhe i kanë njoftuar se së shpejti do të bëhet prezantimi i projektit dhe do të fillojë shitja e apartamenteve, çmimi i të cilave do të bëhet publik ditën e prezantimit.

Projekti Durrës Yacht & Marina ka marrë statusin strategjik, pas të cilit shteti shqiptar u bë bashkë-aksioner, pasi në dispozicion të projektit u vunë 80 hektarë tokë shtetërore.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar me një postim në Facebook pas publikimit të lajmeve se kanë nisur shitjet për banesat që pritet të ndërtohen në Durrës pas projektit të ri të publikuar nga qeveria për Portin e Durrësit.

Postimi i plotë:

MOS BLINI APARTAMENTE NË PROJEKTIN E PORTIT TË DURRËSIT!

MOS BINI PRE E MASHTRIMEVE TË KËSAJ SKEME TË PASTËR PIRAMIDALE!

I ftoj të gjithë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për blerjen e apartamenteve në Projektin e Portit të Durrësit, që nuk është gjë tjetër veçse një skemë e pastër piramidale për vjedhjen e parave tuaja.

Në mungesë të plotë transparence, për këtë të ashtuquajtur Projekt, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave.

Është vetëm një aferë e pastër korruptive, që synon t’ju grabisë paratë dhe asgjë më shumë!

U bëj thirrje organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje, në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve.

Më herët Zoom.al ka zhvilluar artikuj të ndryshëm në lidhje me këtë temë, ku Kryeministri Rama zhvilloi edhe diskutime me biznesmenin arab për Portin e Durrësit, pasi arabi nuk dëshironte që ta bënte portin turistik, por të fuste shtetin aksioner për t’i marrë tokën e portit falas për të ndërtuar pallate.