zoom

Lajme

Mesazhet e Ramës nga Athina: Hiqni ligjin e luftës. Të mbjellim sukses si fqinjë

Nga Athina, kryeministri Edi Rama kërkoi nga pala greke të heqë ligjin e luftës.

“Pasojat e ligjit të luftës mbeten në fuqi, megjithëse në vitin 1998 të dyja shtete kanë miratuar traktatin e miqësisë, si ka mundësi që mes dy shtetesh që janë bashkë në Nato prej 15 vitesh të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës bashkë me pasojat e një ligji lufte 80 vite më parë.

Në këto vite unë dhe qeveria jonë jemi përpjekur, që ky absurditet të largohet nga tryeza e vendeve tona siç jemi përpjekur t’i adresojmë sa më drejtë me dialog. E vërteta është se tek kryeministri aktual i Greqisë unë kam gjetur bashkëbiseduesin më të mirë të këtyre viteve.

Me Shqipërinë dekreti i ligjit të luftës e pasojat mbeten në fuqi sot e gjithë ditën megjithëse në vitin 1998 të dyja shtetet miratuan traktatin e miqësisë. Si ka mundësi?”, tha Edi Rama.

Ai ftoi fqinjët grekë për të lënë pas ndasitë dhe për të nisur një bashkëpunim të suksesshëm dhe solid, që nuk rrezikohet nga zhvillimi më i vogël.

“Kemi 30 vjet ku duket sikur mezi presim të djegim jorganin për një plesht. Mund të kishim mbjellë, korrur në këto 30 vite shumë më tepër fryte sukses të përbashkët, si fqinj, miq, si aleatë, duke përdorur mundësitë, pasuritë energjitë tona, për të rritur mirëqenien e dy popujve tanë, në vend se të hymë nga një cikël stinor në një tjetër, nga ngërçi në ngërç, ku pas vjeshtës vjen dimri dhe pasi vjen pranvera që zgjat shumë pak, nuk vjen vera asnjëherë.

E vërteta e madhe jashtë fushës së vogël të lojërave politike me topin katror ballkanik është se asnjë hall apo problem nuk është i ndryshëm nga hallet apo problemet e shqiptarëve. Në një vend që përparon përditë por plagët e trashëgimisë negative të shkuarës së afërt e të largët janë ende jo plotësisht të mbyllura ama kurrë në asnjë rast një grek etnik në Shqipërinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur një hall për shkak të etnisë së tij”, u shpreh kryeministri.

Çfarë është ligji i luftës?

Shqipëria ka qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe nuk kishim sovranitetin e vendit. Greqia i shpalli luftë shtetit italian dhe automatikisht dhe Shqipërisë duke qenë pjesë e pushtimit italian.

Sot Italia dhe Greqia nuk e kanë më këtë ligjin e luftës, ndërsa me Shqipërinë ligji ekziston.

Historia e Ligjit të Luftës fillon më 10 nëntor 1940 kur u shpall dekreti mbretëror grek ligji 2636 mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë.

Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë e kryeministrit Jorgos Xolagoklus e hoqi Ligjin e Luftës.

Por pas përfundimit të luftës qeveria e sapo formuar në vitin 1945 e rikthen atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë me një dekret të ri numër 13

Një nga arsyet është çështja e pronave, të cilat janë ngrirë. Në bazë të dekretit të 1940 shtetasit e huaj me të cilët Greqia kishte shpallur luftë ishin të privuar nga pronat e tyre.