zoom

Lajme

Media greke: Rama kërkoi stadiumin e Olimpiakosit për tubim, qeveria mund t’ia ndalojë vizitën…!

Mediat greke zbardhin detaje nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Athinë dhe takimin që do të zhvillojë me emigrantët shqiptarë në 12 maj.

“Protothema” citon kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis të ketë deklaruar se nuk dëshiron një takim të pakontrolluar, prandaj preferon një zonë të mbyllur, e cila mund të monitorohet më me efektivitet nga forcat e Policisë.

Gazeta greke ndër të tjera shkruan se qeveria greke nuk mund ta ndalojë vizitën e kryeministrit shqiptar.

“Çështja nuk është dypalëshe, është evropiane, pavarësisht atyre që pretendojnë se është një çështje që ka të bëjë vetëm me pakicën kombëtare greke. Bëhet fjalë për shtetin e së drejtës dhe mënyrën sesi Shqipëria i trajton minoritetet, ka të bëjë me mënyrën se si funksionon gjyqësori shqiptar. Qeveria greke do të vazhdojë të ngrejë këto çështje”, tha Mitsotakis.

Nga të dhënat e deritanishme, SEF (stadiumi i paqes dhe i miqësisë) duket se është vendi më i mundshëm për Edi Ramën, pasi ka pasur negociata intensive mes ambasadës shqiptare në Athinë dhe drejtuesve të sallës së lojërave ku mund të mbajë fjalimin kreu i qeverisë shqiptare, raporton media greke. Mirëpo, sipas gazetës greke ka munguar edhe një ofertë financiare për përdorimin e pallatit të sportit.

Qeveria greke do të donte të shmangte imazhin e një “feste” në një ambient ​​të hapur, duke qenë se skenarë qarkullonin edhe për sheshin Sintagma. “Kryeministri shqiptar Edi Rama deri tani nuk ka gjetur vend për tubimin e 12 majit“, shkruan “Protothema”, duke theksuar se edhe salla e Teatrit të Krishtlindjeve në Galat, është përjashtuar si mundësi.

“E vetmja marrëveshje që ata bënë ishte për sallën Melina Merkuri, e cila ka një kapacitet të vogël, nën 1000 persona, ndërkohë që në fakt duan një hapësirë ​​të madhe që mund të mbajë 4000 deri në 5000 persona”, vijon Protothema.

“Ata kërkuan verbalisht stadiumin e Olympiacos, por nuk e bënë kërkesën me shkrim. Nuk dihet nëse kjo kërkesë do të miratohet”, vijon më tej artikulli i medias greke. /ZOOM.AL/