zoom

Bota

Media amerikane: Pritet rrëzimi nga froni i liderit kinez Xi Jinping

Kina ka zgjedhur linjën e kontrollit absolut të çdo infektimi nga COVID-19, një qasje që ka sjellë në karantinën e rreptë të qyteteve kryesore, ku qytetarët kanë vështirësi edhe të dalin për të blerë ushqime, jo më për të jetuar normalisht.

Kjo qasje ka sjellë fillimisht një pakënaqësi të shprehur nëpër dhëmbë, që tashmë po shndërrohet në akte rebelimi publike, që kontrollet dhe censura e regjimit të Pekinit me zor arrijnë të bllokojnë.

Sipas disa analistëve, protestat për masat e COVID-19 mund të jenë vetëm maja e ajsbergut i një ndjenje të përgjithshme pakënaqësie ndaj qeverisjes dhe në veçanti ndaj presidentit Xi Jinping.

Të shumtë janë ata që mendojnë se Xi Jinping nuk është më i padiskutueshëm në majën e pushtetit kinez. Gazeta amerikane Washington Times, flet për zëra që po shpërndahen gjithmonë më shumë, mbi një dorëheqje të mundshme të Xi Jinping.

Zëra që pohojnë edhe nga disidenca kineze. Një video e përhapur orët e fundit, nga një profil kanadez me emër Lao Deng, flet edhe për skenarët pas dorëheqjes. Pasuesi i Xi Jinping mund të jetë vetë kryeministri i vendit nga viti 2013, ai Li Keqiang që cilësohet si mendja e vërtetë e reformave ekonomike të viteve të fundit.

Ish-lider i Rinisë Komuniste dhe pjesë e gjeneratës së pestë të lidershipit komunist, Li Keqiang shihet si përkrahës i ish-presidentit Hu Jintao, dhe të një qasje më teknokratike dhe e orientuar te tregu i lirë sesa Xi Xinping.

Sipas këtyre burimeve, transicioni mund të ndodhë pas kongresit të Partisë Komuniste që pritet në vjeshtë.