zoom

Blog

Më thuaj, të plas ndopak për këtë vend?

Nga Denisa Skodi

Ndodhte shpesh…! Im atë ikte dhe zbriste shkallët e pallatit, e ndërsa unë vrapoja të zija një vend në dritaren e dhomës. Duhet t’i siguroja vetes një pamje të mirë që të mund ta shihja përgjatë gjithë rrugës, teksa ecte dhe kthehej herë-herë duke më përshëndetur me dorë. Kjo ndodhte për fare pak, derisa silueta e tij e bashkë me të i gjithi ai zhdukej në fundin e udhës. “Do ta kuptosh kur të rritesh”, ishte refreni ngushëllues i mamasë sime drejtuar meje, një fëmije që në dukje sillej krejt shpenguar. Dikur e cilësoja si mungesë, më vonë më mësuan se quhej emigrim.

E trishtë se si bota atje tej vrapon, e ndërsa gjërat këtu zvarriten pa ndalim. Ishte viti ’96 kur ky vend s’mund ta ushqente familjen time, është sot si për dreq e njëjta situatë. 20 e diçka vjeçarë që presin t’u dalë një rrugë, çifte që kërkojnë azil dhe të tjerë që lëvizin gurët e fundit për të siguruar një kontratë punë. Fëmijë që duhet të lindin këtu, por lindin atje.

Vras mendjen, shijon pushteti dhe karshillëku në një vend të vjedhur? Si i bëhet me milionat, vilat dhe tenderat, kur populli yt mezi shtyn muajin? A kapërdihen lehtë krudot dhe a të mbajnë ngrohtë peliçet, kur e di se po paguan me jo-paratë e tua? Ka përherë diçka që do t’i dallojë pushtetarët tanë nga homologët atje tutje, e vetmja gjë që i mban në majë. Kanë ngrënë dhe dhjerë më shumë se kushdo tjetër. E bëjnë ende!

Ironike se si një ndër miqtë e mi, ish-punonjës i FNSH-së ndërmori udhëtimin premtues e shpresëdhënës drejt Anglisë. Dhe ju e dini pse shkohet në këtë të fundit. Dikur një ish i ri, adhurues i rendit dhe drejtësisë, por krejt trokë, sot veçse një ujitës bimësh fitimprurëse. Një “shqipe” më shumë, krejt pa identitet dhe pikë rëndësie, në një prej “shtëpive të barit”, për të cilat mediat britanike s’ngopen së shkruari. Një burim i jashtëzakonshëm që thithet prej interesit mediatik, të rinj që rrezikojnë, ëndrra që ngrihen, ëndrra që shpejt shuhen.

Do doja mos kishte ndodhur kurrë tre javë më parë ai bisedim me nxënësit e mi. Si për dreq, i pyeta nëse duan të ikin nga ky vend. 14 duar qëndruan lart. 14 duar 14-vjeçarësh që ëndërronin t’ia mbathnin një ditë të bukur. Veç njëri s’mundej, çfarë t’u bënte gjyshërve. Dashtë Zoti jetë të gjatë!

E çuditshme se si ngopja nuk ndodh kurrë në llojin e tyre. Të vazhdosh të marrësh, thithësh e zaptosh, ndërkohë që qelbesh erë prej pellgut që vetë ke krijuar. Vjedhje, korrupsion, krim e shantazh, një cikël që s’dihet kur nisi, e që s’po mbaron.

Ishte një nga ato pasditet ku refuzon të nxësh diçka, mjaftohesh me rrufitjen e një çaji dhe një mendje boshe që ka ngrirë dhe s’pranon të punojë. Kjo derisa zëri i lartë i një mesoburri në tavolinën pas meje ia doli të më shkundte kureshtjen. “Për kë të votoj, hë për kë”, qe ktlithma e sinqertë e një njeriu, në një kafene të rëndomtë të Myslym Shyrit.

Ky vend po shkon në zgjedhje; të njëjtat refrene, pallavra të ngjashme, frikshmërisht po ata, po të njëjtit. Një marrëdhënie abuzive që s’merr fund; ata që veç e djallosin, kërkojnë sërish një shans të dytë. Të bësh sikur diç udhëheq apo diç opoziton, ndërkohë që radarët e tu kërkojnë vetëm burim zhvatjeje. Të luash pisët me tokën tënde!

Më përndjek porsi makth ideja e të ngjiturit diku larg dhe dëshira e të thirrurit me sa mundem: ejjjjjjjjjjjjj, a i plas më njeriut për këtë vend? A ju plas që po ikin, po ikim? Veçse i druhem përgjigjes ama…