zoom

Aktualitet

Më shumë viktima nga Covid-19 se sa nga 5 sezone gripi bashkë

Më shumë se 210.700 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi në SHBA brenda tetë muajve, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Ndërsa gripi i mori jetën rreth 22.000 njerëzve në SHBA gjatë sezonit të kaluar, sipas Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Nëse 22,000 njerëz do të vdisnin midis periudhës 1 tetor dhe 31 maj, mesatarisht do të thotë rreth 91 viktima nga gripi në ditë për një periudhë prej tetë muajsh.

Në vetëm tetë muaj, Covid-19 ka vrarë më shumë njerëz sesa gripi gjatë pesë sezoneve të fundit të gripit së bashku.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, nëpërmjet një postimi në Tëiter, krahason shifrat e viktimave nga gripi me ato të covid 19, duke pretenduar se gripi vret “ndonjëherë mbi 100,000” njerëz në vit.

Por të dhënat e CDC nga 1976 në 2007 dhe nga 2010 e deri më tani tregojnë se shifrat nuk janë të sakta.

Ka disa arsye pse Covid-19 është më i rrezikshëm se gripi dhe pse nevojiten masa të tjera:

Koronavirusi është shumë më ngjitës se gripi

Sipas studimeve një person me grip infekton mesatarisht rreth 1.28 persona të tjerë ndërsa një person me koronavirus infekton mesatarisht rreth 2 deri në 3 persona të tjerë.

Koronavirusi mund të përhapet për shumë ditë pa shfaqur asnjë simptomë

Periudha e inkubacionit të gripit është relativisht e shkurtër. Njerëzit zakonisht fillojnë të ndihen të sëmurë një deri në katër ditë pas infektimit, ndërsa simptomat shpesh shfaqen brenda dy ditësh.

Kjo do të thotë që njerëzit që sëmuren nga gripi e kuptojnë se janë të sëmurë shumë shpejt dhe ka të ngjarë të qëndrojnë në shtëpi, duke shmangur kontaktet me të tjerët.

Por periudha e inkubacionit të koronavirusit është rreth tre deri në 14 ditë dhe simptomat zakonisht shfaqen brenda katër ose pesë ditësh sipas ekspertëve të Harvardit.

Ka një vaksinë kundër gripit por jo një vaksinë kundër koronavirusit

Ekspertët thonë se numri i viktimave nga gripi mund të ulet në mënyrë drastike nëse njerëzit vaksinohen kundër gripit.
Nëse do të vaksinoheni kundër gripit dhe më pas sëmureni, simptomat do të jenë më pak të rënda.

Megjithatë, rreth gjysma e amerikanëve nuk vaksinohen, përfshirë shumicën e fëmijëve që vdesin nga gripi.

Për sa i përket koronavirusit ende nuk kemi një vaksinë, kështu që mënyrat më të mira për të mbajtur nën kontroll përhapjen ( duke përmirësuar edhe ekonominë ) është të jemi të përgjegjshëm- të qëndrojmë të paktën 6 metra larg personave që nuk jetojmë me ta, të lajmë duart shpesh dhe të mbajmë maskë.