zoom

Aktualitet

Me pranga në duar, gjyqtarja Enkelejda Hoxha shkon në KLGJ

Me pranga në duar, gjyqtarja Enkelejda Hoxha është shoqëruar në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku do të njihet me vendin e KLGJ-së, pas kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e saj nga detyra, për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Kjo është seanca e katërt që KLGJ zhvillon, ku kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani i qëndron kërkesës së tij për shkarkim. Sipas Metanit, janë 5 raste kur gjyqtarja ka vepruar në kundërshtim me ligjin për t’i dhënë lirinë personave në mënyrë të padrejtë.

Enkeleida Hoxha ra në rrjetat e SPAK së bashku me nëntë persona të tjerë që në bashkëpunim me njëri-tjetrin po tentonin të hapnin dyert e qelive për një tjetër të dënuar në Fushë-Krujë. Gjyqtarja, eksperti mjeko-ligjor, avokati , kryesekretarja e gjykatës dhe familjarët e të dënuarit Saimir Petani u bënë bashkë me qëllimin për t’i zbutur atij dënimin. Duke shfrytëzuar afrimitetin me Enkeleida Hoxhën, avokati Aldo Tabaku sipas përgjimeve të SPAK se ka ndikuar te gjyqtarja Hoxha, e cila nën këtë influence i zbriti të dënuarit 6 muaj burgim, për shumën e 6 mijë eurove.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë më herët bëri kërkesë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, pasi emri i saj lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë.

Kurse emri i mjekut Edvin Prifti doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës. Ai mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Në shtëpinë dhe zyrën e mjekut me detyrë kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u gjetur në total 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë, për të cilat avokati, Henrik Ligori ka këmbëngulur se shuma prej eurosh që është gjetur në banesën e mjekut ka qenë shumë e fituar nga çmimet ndërkombëtare, ndërkohë që e ka lidhur kërkesën për arrestimin e tij me fushatën.

Gjatë seancës, avokatët kanë kërkuar ndryshim të masës së sigurisë. Avokati i gjyqtares argumentoi se masa ndaj saj duhet të jetë më e butë, kjo për shkak se është nënë e dy fëmijëve dhe ka nevojë për përkujdesjen e saj. Edhe avokati i mjekut Prifti duke mohuar akuzat ka kërkuar ndryshim të masës së sigurisë.