zoom

Aktualitet

Me foton e Escobar-it! Kapen 120 pako me kokainë në Durrës, erdhën nga Ekuadori

143 kg kokainë u kap në portin e Durrësit. Mësohet se droga ishte fshehur në tavanin e kontenierit me banane që vinte nga Amerika Latine.

Në pakon e kokainës ishte shkruar në spanjisht “El Mejor” (më e mira) dhe ‘Viejon’ (i moshuar), teksa kishte si imazh Pablo Escobar. Anija ‘Dance’ në të cilën ishte ngarkuar konteineri u nis dje nga Pireu, mbërriti sot në Durrës.

Kompania, në kontenierët e së cilës u gjetën rreth 143 kg kokainë, kishte selinë në Tiranë dhe bëhet fjalë Masabi Fruits. Nga sa mësohet kjo kompani operonte në treg që prej vitit 2018 me importin e bananeve nga Amerika Latine. Kompania ishte me ortak Erion Peti dhe Klajdi Xibraku, ku i fundit i arrestuar ditën e sotme nga SPAK, pasi ishte personi që u paraqit në portin e Durrësit për të zbllokuar sasinë e mbërritur nga Amerika Latine.

Ka qenë skaneri i kontrollit në portin e Durrësi që ka gjetur sasinë e madhe të kokainës. Ai iu nënshtrua skanerit, pasi u vlerësua si një kontenier me risk. Kokaina ishte e mbështjellë me natriban kaf dhe të zi, ndërkohë që në disa prej tyre ishte mbishtrimi ”Viejon”. Kokaina ishte fshehur në tavanin e konteinerit, në një vend të modifikuar.

Konteineri ku u gjet droga është shkarkuar nga anija e konteinerëve ”Dance”, anije me flamur portugez që vinte në Durrës pas ndalesës në portin grek të Pireut.

Po si bëhet ky përcaktim “kontenier me risk”? Mësohet se ka 2 mënyra. Së pari është ajo e “shortit”, ku 1 në 100 kontenier i nënshtrohet kontrollit të detajuar dhe mënyra e dytë është kur vijnë informacione nga shërbimet e partnerëve mbi mallra të dyshimtë. Rasti më i fundit i 143 kg kokainë në Durrës të kapur sot, raportohet se është zbuluar falë bashkëpunimit nga partnerët e huaj.

Pak ditë më parë, më konkretisht më 1 prill, në Portin e Durrësit u sekuestrua një tjetër sasi kokainë prej 49 kg. Ajo vinte nga Amerika Latine në një kontenier me banane në pronësi të Selim Çekaj, babai i Arbën Çekaj, ky i fundit i dënuar me 14 vite burg për sasinë 613 kg kokainë në 2018. Të dy ndodhen aktualisht në burg.