zoom

Aktualitet

Mbyllet votimi për kryetarin e PD-së/ Vijnë rezultatet e para nga nga disa qytete, kryeson Basha, i ndjekur nga Shehaj

Rreth 75 mijë demokratë kishin të drejtën e votës sot, për të vendosur kryetarin e Partisë Demokratike, për katër vitet e ardhshme.

Procesi i numërimit ka përfunduar në Kolonjë, ku kanë votuar 244 nga 287 qytetarë me të drejtë vote.
Në qytetin juglindor, kryeson kryetari aktual Lulzim Basha, me 140 vota, i ndjekur nga Agron Shehaj me 82 vota. Edith Harxhi ka siguruar 16 vota, ndërsa Fatbardh Kadilli vetëm 6 vota.

Numërimi ka mbaruar dhe në Maliq, ku gjithsej kanë votuar 517 demokratë.
Lulzim Basha ka siguruar 411 vota, Agron Shehaj 90, Fatbardh Kadilli 8 dhe Edith Harxhi 7vota. Ndërkohë, 1 votë është vlerësuar e pavlefshme.

Ndërkohë, rezultatet janë ndryshe në Selenicë të Vlorës, ku ka fituar Agron Shehaj, me 119 vota. Kandidati Shehaj ndiqet nga Lulzim Basha, me 102 vota. Dy kandidatët e tjerë, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, kanë mundur të sigurojnë vetëm nga një votë.

Edhe në Kurbin, Lulzim Basha ka fituar bindshëm, me plot 1016 vota. 74 demokratë kanë votuar Agron Shehajn për kryetarin e partisë së tyre, 8 demokratë kurbinas i kanë dhënë votën Edith Harxhit, ndërsa 7 të tjerë, Fatbardh Kadillit.