zoom

Politikë

Mbrojtja e votës/ Deklarata shqetësuese e Xhelal Mziut: Çdo i dyshuar do e pësojë si ai i Elbasanit

Një ngjarje e rëndë tronditi Elbasanin dy ditë më parë (21 prill 2021), ku mbeti i vrarë me armë zjarri Pjerin Xhuvani. Xhuvani u qëllua nga Arbër Paplekaj, një ish-efektiv policie, pjesë e strukturave për mbrojtjen e votës, të ngritura nga Partia Demokratike.

Në fjalën e tij, në përmbyllje të fushatës elektorale në Dibër, kandidati për deputet i PD-së u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që çdo person të dyshimtë ta raportojnë te grupet e posaçme që PD ka ngritur për mbrojtjen e votës dhe do ta pësojnë njëlloj si ai në Elbasan.

Xhelal Mziu: Kemi ngritur grupet e gatshme nga sot dhe në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit.

Ditën e djeshme në Maqellarë simpatizantë të PD-së ndaluan një tjetër mjet, për të cilin thonin se i përkiste eksponentëve socialistë me pretendimin se po shpërndanin para për blerjen e votës.

Po ashtu Mziu u bëri thirrje të gjithë qytetarëve dibranë që në 25 prill të mbrojnë votën me gjak dhe nëse është e nevojshme të dalin me sopata, me drunj për ta mbrojtur atë.

Xhelal Mziu: I bëj thirrje çdo qytetari të Dibrës të dalë dhe ta mbrojë me gjak, me sopata, me drunj apo çfarë të dalë para kushdo që do përdorë voton e një qytetari. Jam i sigurtë që jo vetëm demokratët , por edhe socialistët janë bashkuar në këtë betejë.