zoom

Politikë

Manipulim? Boiken Abazi: Nga 31 vota që kemi marrë në Bërzhitë, na janë numëruar vetëm 3

Kur po bëhet gati një javë që janë mbajtur zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në vendin tonë, akuzat për manipulime votash sa vijnë dhe shtohen.

Përveç akuzave për blerje votash dhe përdorim të bandave apo presionit ndaj administratës, një tjetër pakënaqësi që ka prekur kryesisht opozitën është dhe numri i lartë historik i votave të pavlefshme, mbi 80 mijë.

Një ndër ata që kanë denoncuar fort, sipas tij, abuzimin me votat e pavlefshme është dhe kandidati i pavarur i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi.

Ditën e sotme ai publikon disa fakte që tregojnë sipas tij si janë shpallur të pavlefshme votat që janë hedhur për atë.

Abazi shkruan se pasi kanë marrë pamjet filmike nga KQZ, është vënë re se vetëm në Berzhitë të Tiranës, atyre u janë mohuar rreth 28 vota. Sipas Abazit, KQZ u njeh 3 vota atyre, por po të shikosh fletët e pavlefshme të votimit vihet re se është vendosur një kryq te ai dhe një kryq te PS ose PD, duke ngritur kështu dyshime të forta që partitë e mëdha kanë bashkëpunuar kundër tij.

Në mbyllje të postimit të tij, Boiken Abazi bën thirrje që e vërteta të zbulohet për atë që ka ndodhur dhe krimi elektoral të ndëshkohet.

Postimi:

Nga 3 vota, potecialisht 31 vota në Bërzhitë – Bashkia Tiranë
Mbrëmë morëm nga KQZ-ja një pjesë të konsiderueshme të pamjeve filmike nga Qendrat e Numërimit për Qarkun Tiranë, ku kam kandiduar si i pavarur. Sot, një ekip i aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë përzgjodhi në mënyrë rastësore për monitorim të pamjeve filmike

Njësinë Administrative Bërzhitë në Bashkinë e Tiranës, me tetë ( 8 ) Qendra Votimi. Numërimi i kutive të votimit të këtyre 8 qendrave është bërë në shkollën “1 Maji”, KZAZ nr. 30 në Tiranë. Gjetjet e ekipit janë domethënëse, si në vijim:

Votat e raportuara nga KQZ-ja për 8 Qendrat e Votimit të Njësisë Administrative Bërzhitë për kandidaturën time janë në total 3. Në ndërkohë, nga monitorimi i ekpit të aktivistëve i pamjeve filmike për 8 Qendrat e Votimit del që:

• 2 vota të tjera për kandidatin e pavarur kanë qenë të vlefshme, të sakta dhe nuk janë marrë parasysh e nuk janë pasqyruar në procesverbal.
• 21 vota të tjera kanë dy shenja X: një për kandidatin e pavarur dhe një për PS.
• 4 vota të tjera kanë dy shenja X: një për kandidatin e pavarur dhe një për PD.
• 1 votë ka tre shenja X: një për kandidatin e pavarur, një për PS dhe një për PD.

*** Kjo do të thotë se nga 3 vota, potecialisht në Bërzhitë numri i votave tona mund të ketë qenë 31.
Në vijim do të gjeni tabelën përmbledhëse të të dhënave të monitorimit, si dhe fotografitë për të gjithë fletët e votimit të sipërpërmendura. Këto fotografi nuk janë publikuar më herët dhe i kemi marrë nga pamjet filmike të KQZ-së.

Është tejet e rëndësishme që e vërteta të zbulohet për atë që ka ndodhur. Krimi elektoral duhet ndëshkuar! Njësia administrative Bërzhitë, e përzgjedhur prej nesh në mënyrë rastëore, dëshmon se ka patur një deformim të votës dhe shkelje të rënda ligjore.